2011-12-14 18:45:19

Perikle Facini dhe kryevepra e tij, “Ngjallja e Krishtit”.


Sot Benedikti XVI kujtoi një emër shumë të njohur në botën e artit: piktorin e skulptorin italian, Perikle Facini, lindur në Grotamare, më 4 maj 1913, vdekur në Romë, më 4 dhjetor 1987.
Facini e nisi formimin artistik, si mjeshtrit e vjetër, në punishten e të atit, Vitorit. Por me një ndryshim jo të paktë. I jati nuk ishte skulptor. Ishte thjesht, marangoz. Falë ndihmës së poetit Mario Rivoseki, më 1930 u nis për në Romë, ku studioi në shkollën e lirë të nudos. Nisi të frekuentonte edhe gjelltoren e Vëllezërve Mengi, vendtakim i njohur i artistëve të kohës, që banonin ose kalonin nëpër Romë e që ndikonin jo pak mbi krijimtarinë e njëri-tjetrit.
Në vitin 1931 fitoi konkursin për një monument të kardinalit Dusmet, që nuk do ta realizonte kurrë. Më 1935, meritoi një çmim për veprën “Valle e stuhi”. Me këtë vepër, ylli i tij nisi të lartohej në qiellin e arteve botërore. Ekspozoi, më pas, me sukses, në Paris, dhe hapi studion e tij në Rrugën e famshme të artistëve, Marguta, në kryeqytetin italian, ku pikërisht në prag të Krishtlindjes, hapet ekspozita e përvitshme e artistëve nga vende të ndryshme të botës, duke e shndërruar gjithë rrugën, në një sallon të veçantë pikturash e skulpturash.
Gjatë Luftës II Botërore ilustroi revistat Primato, Documentus e Domus.
Më 1937 fitoi çmimin Torino, me veprën “Anita në këmbë”. Është kompozim, në të cilin paraqet të shoqen, Anita Buy, me të cilën u martua më 1940. Në fund të viteve ’50 nisi të punojë për realizimin e skulpturave monumentale. Ekspozoi në shumë vende të Italisë e të botës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më në zë të kulturës e të artit italian. Veprat e tij ruhen në shumë galeri të famshme arti, nga Londra, në Paris, Romë, Tokio, Montreal e në vise të tjera.
Por një nga kryeveprat e tij më në zë, është “Ringjalla e Krishtit”, restauruar kohët e fundit. Duke falënderuar sot, gjatë audiencës së përgjithshme, ata që e financuan dhe e realizuan këtë restaurim, Papa kujtoi se kjo kryevepër e rrallë, tërheq menjëherë vëmendjen e të gjithë vizitorëve të Sallës së Palit VI. Qe Papa Montini ai, që ftoi skulptorin Pericle Fazzini për ta realizuar këtë kryevepër të skulpturës moderne, kujtoi Benedikti XVI dhe shtoi me kënaqësi: “Pas një periudhe punimesh të kujdesshme, sot kemi gëzimin ta admirojmë në të gjithë shkëlqimin fillestar, këtë vepër arti e feje”. Dhe vërtet, “Ngjallja e Krishtit”, derdhur në bronz, të pushton menjëherë, me kompozimin e saj plot lëvizje, duke të kujtuar se me Krishtin, ringjallet edhe mbarë natyra, që vihet në një lëvizje të pandërprerë. Skulptura, gjithë dinamizëm, me forma që të çojnë në një botë më të përkryer se kjo tokësore, rifiton sot freskinë e çastit, kur u krijua, 34 vjet më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.