Milano: Letra e Krishtlindjes drejtuar fëmijëve nga kardinali Anxhelo Skola
“Jezusi është i gjallë e ecën me ty” – titullohet letra e Krishtlindjes, që kardinali
Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos, u drejton fëmijëve. I stolisur me piktura të
botës fëmijënore, urimi bëhet edhe më origjinal. Kryeipeshkvi Skola u shkruan fëmijëve:
“Urimet për Krishtlindje janë të ndryshme, nga ato që të bëhen për ditëlindje, kur
nëna e babai organizojnë për nder tënd një festë, në të cilën ti mund të ftosh miqtë
e dashamirët. Dëgjo ku është ndryshimi. Për Krishtlindje unë e ti shkëmbejmë urime,
por festa nuk është posaçërisht për ne. Është për një tjetër: për Krishtin Fëmijë.
Ne jemi të ftuarit. Prandaj, për ta kremtuar si duhet ditëlindjen e Jezusit, ti e
unë duhet të bëjmë një hap përpara. Të pranojmë se Jezusi është i gjallë, se ecën
përkrah nesh. Na shoqëron në shkollë, në shtëpi, në lojë me shokë...me një fjalë,
në të gjithë jetën. E, me që e kemi gjithnjë pranë, është e natyrshme të na ftojë
edhe në ditëlindje. Ai nuk pret dhurata nga ne. Përkundrazi: na bën dhurata. Na dhuron
lirinë e plotë, për të ecur me të, përkrah tij. Liri, përplot me pyetje! Të urosh
“Gëzuar Krishtlindjen”, do të thotë të kujtosh se vetë Krishti Fëmijë është dhurata
më e bukur, që marrin për Festat e Mëdha, jo vetëm të miturit. Por edhe të rriturit.