India kremtoi 75-vjetorin e Misionareve të Zojës së Papërlyer.
Jubileu i platintë, apo 75-vjetori, është gjithnjë rast i përshtatshëm për
të kujtuar rrugën e gjatë, të përshkuar së bashku me shumë miq, që bashkëpunuan në
misionin tuaj, dhuruar nga Zoti, për të arritur pranë mijëra njerëzve në mbarë botën,
duke lënë pas gjurmë të thella të veprimtarisë misionare ungjillëzuese”. Këtë theksoi
imzot Prakash Mallavarapu, ipeshkëv i dioqezës indiane të Vijaiavadës, në homelinë,
mbajtur gjatë kremtimit eukaristik të Jubileut të platintë të Misionareve të Zojës
së Papërlyer. Prelati kujtoi, në mënyrë të veçantë, se rregulltaret janë të thirrura
kryesisht për të dëshmuar, me jetën e tyre, praninë e Krishtit ndërmjet njerëzve.
Mijëra besimtarë e ndoqën këtë kremtim, duke falënderuar Zotin për mënyrën e mrekullueshme
me të cilën e udhëheq Kongregatën, për t’i shërbyer Ungjillëzimit. Kongregata e së
Papërlyerës lindi më 8 dhjetor 1936, kur dy gra, motra Gjyzepina Dones dhe motra Gjyzepina
Ridolfi, u gjunjëzuan para figurës së Zojës së Papërlyer, duke ia kushtuar gjithë
jetën çështjes së Ungjillëzimit të kombeve, që janë në zemër të Kishës. Rreth tyre
u mblodhën shumë vajza, që i dhanë jetë Kongregatës së re në shërbim të ungjillëzimit.
E me që në atë kohë Kisha shqetësohej posaçërisht për Indinë, dy motrat e para e nisën
misionin në dioqezën e Vijaiavadës , ndonëse nuk e njihnin as kulturën, e as gjuhën
vendase. Vapa e tmerrshme e zonës nuk i kurseu rregulltaret, të cilat vdiqën njëra
pas tjetrës nga malarja e tifoja, pa u mbushur mirë vitin. Po Kongregata nuk e humbi
shpresën: dërgoi rregulltare të tjera. E sot, në Indi, numërohen 64 bashkësi. Të
tjera u ngritën në Afrikë, në Papua Guninea e Re, Brazil, Hong Kong, Bangladesh e
Algjeri, ku rreh më fort e më shqetësueshëm zemra e Kishës, në përpjekjen që të gjithë
njerëzit të takohen me Krishtin.