2011-12-14 18:44:41

Dhimbja e imzot Justenit para masakrës së Liezhit: dhunë pa kuptim


Ka arritur në 4 të vdekur e 123 të plagosur – disa në gjendje të rëndë – bilanci i dhunës së djeshme në Liezh të Belgjikës, ku një person me origjinë marokene, 32 vjeçar, qëlloi pa dallim mbi njerëzit, duke vrarë e plagosur, për t’u vetëvrarë më pas. Qyteti mbajti sot në mesditë një minut zi. Thellësisht i prekur, ipeshkvi i Liezhit, imzot Alojzius Justen, i cili flet kështu, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Natyrisht, mbetesh gjithnjë i shkandulluar para dhunës njerëzore: si është e mundur, pyes, që një njeri të jetë i aftë për të bërë kaq keq, për të mbjellur kaq dëshpërim e kaq vuajtje, për të shkaktuar vdekjen pikërisht kur festa e Krishtlindjes na zbulon një Zot, që e do jetën për të gjithë njerëzit…
Cili është mesazhi juaj për familjet e viktimave dhe për të plagosurit?
Do të doja thjesht, t’u thoja ndonjë fjalë, megjithëse besoj se fjalët nuk mund ta shprehin atë, që familjet presin prej nesh. Do të doja thjesht, t’u jap atyre, nëse mundem, të gjithë mbështetjen time shpirtërore, së bashku me ngushëllimin e lutjes. Do të doja të qëndroj me ta, të lutem për ta e t’u them se besoj në një Zot që na do, në jetë e në vdekje e se Ai është me ne, edhe përtej vdekjes, edhe në vuajtje. Shpresoj që përmes këtyre fjalëve të krishtera, njerëzit e prekur nga kjo dramë, ta ndjejnë se ekziston afërsia njerëzore e se, sa më shumë të jemi të krishterë, aq më shumë jemi edhe njerëzorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.