Koncert me këngë Krishlindjeje për përurimin e Shpellës së Betlehemit në Sheshin e
Shën Pjetrit.
Pasditën e 24 dhjetorit, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 16.45, do të
përurohet Shpella e Betlehemit. Në ceremoni do të jetë i pranishëm Governatori i Qytet-Shtetit
të Vatikanit, Shkëlqesia e Tij, imzot Gjuzepe Bertelo, i shoqëruar nga përfaqësues
të grupit, që punoi për realizimin e Betlehemit. Koncerti, me titull “Ylli i dritës”
do të ekzekutohet nga Orkestra Popullore e Auditorium-it romak, Parku i Muzikës,
nën drejtimin e mjeshtrit Ambroxhio Sparanja. Një kor i madh popullor, i përbërë
nga fëmijë e të rritur, rreth Shpellës së Betlehemit, do t’i këndojë këngët në dialektet
e viseve të ndryshme italiane. Këngët do të paraprihen nga poeti David Rondoni e do
të shoqërohen me tingujt e gajdeve e të veglave të tjera muzikore popullore. Shumë
nga pjesët e programit janë kompozime të Shën Alfons Maria de’ Liguorit i cili qe
i pari që, aty nga gjysma e ‘700-tës, diti të shprehë në muzikë thellësinë e misterit
të Krishlindjes, duke ngritur në art gjuhën muzikore të popullit. Tradita ndërkombëtare
e Krishtlindjes do të jetë e pranishme përmes zërave të disa solistëve. Njëra nga
këngët më të njohura të traditës gjermane, do të tingëllojë si homazh i posaçëm për
Atin e Shenjtë, për t’i kujtuar Krishtlindjet e fëmijërisë në Bavari. Në përfundim
të ceremonisë, që do të mbyllet me një lutje, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali
Anxhelo Komastri, mëkëmbës i Atit të Shenjtë për Qytet-Shtetin e Vatikanit; rreth
orës 18.00, Papa do të ndezë në pragun e ditares së studios, si çdo vit, Dritën e
Krishlindjes!