2011-12-13 17:03:28

Irak: pas Kohës së Ardhjes, të krishterët përgatiten për Krishtlindje.


Të krishterët irakianë përgatiten për Krishtlindje, duke e provuar e duke e dëshmuar praninë e Krishtit, me kumtim, meditim e lutje. Që në ditët e para të Kohës së Ardhjes, kryedioqeza e Kirkukut hapi, në katedrale, “Radion e shpresës”, që mbulon gjithë qytetin, për ta kumtuar në të katër anët, Lajmin e mirë: “Lumni Zotit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”. Kështu lajmin e paqes mund ta dëgjojnë të krishterët, por edhe besimtarët e feve të tjera, për të arritur tek rrënjët e fesë së të krishterëve, për të kuptuar në Kë besojnë, cilat janë ritet që kremtojnë, si luten, si këndojnë e si i meditojnë tekstet biblike, së bashku me tekstet liturgjike. Punohet me grupe e puna është vullnetare. Në prag të festës, të rinjtë kanë përgatitur një cikël rubrikash, me temë: “Të besosh, do të thotë të duash, e të duash, do të thotë të dhurosh”. Grupi i familjeve të krishtera po mbledh ndihma për fëmijët e varfër. Grupi ‘Uji i gjallë’ po ndërton një Shpellë të madhe Betlehemi, me formën e çadrave të beduinëve.
Do të realizohet, pastaj, edhe një makinë, sipas modelit të slitës së Plakut të Vitit të Ri, që do t’u shpërndajë dhurata fëmijëve të varfër, Natën e Krishlindjes.
E tronditur vazhimisht nga vështirësitë e dhuna, Kisha në Irak e kremton me fe Lindjen e Krishtit, që vjen çdo vit, duke u bërë burim drite e shprese, në mes të problemeve të shumta, të cilat vijojnë ta shqetësojnë fort bashkësinë e krishterë vendase edhe në prag të Festës së madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.