2011-12-12 17:37:37

Papa në famullinë romake të Zojës së Hireve: atje ku Zoti duket se mungon, të jeni dëshmitarë të dashurisë së tij.


Të jeni dëshmitarë të dashurisë, posaçërisht atje ku duket se Zoti mungon, atje ku njerëzit vuajnë, ku kalojnë vëshirësi nga më të ndryshmet: këtë ftesë u drejtoi Papa, dje paradite, besimtarëve, gjatë vizitës baritore në famullinë romake të Zojës së Hireve në Kazal Bokone. Kisha, e shuguruar vitin e kaluar, ngrihet në zonën veriore të Kryeqytetit italian. Ati i Shenjtë i nxiti të përgatiten për Krishlindjen, duke menduar, në radhë të parë, për takimin me Zotin që vjen, pastaj për dhuratat.RealAudioMP3

U prit me ngrohtësi të madhe, Benedikti XVI, në famullinë e Shën Marisë së Hireve. Para se të fillonte meshën, u rrethua nga fëmijët, që e festuan me hare ardhjen e Papës. Të përgatitemi për Krishtlindje – u tha Benedikti XVI – jo vetëm me dhurata, por kryesisht, me zemrën tonë. Izaia Profet, në Leximin I, flet për një lajm të gëzuar, që u drejtohet të varfërve. Flet fjalë, të cilat sot janë më aktuale se kurrë. Fjalë, që ringjallin shpresa të mëdha. Në faqet e Ungjillit, pastaj, takohemi përsëri me Shën Gjon Pagëzuesin i cili, nga shkretëtira, na fton për pendesë, për kthimin e zemrave kah Zoti. Edhe sot – kujtoi Papa – në shkretëtirën e qyteteve të mëdha të kësaj bote, ku ndjehet thekshëm mungesa e Zotit, kemi nevojë për zëra të fuqishme, si ai i Shën Gjonit, që t’i kumtojnë mbarë njerëzimit se Zoti është gjithnjë pranë njeriut, edhe kur duket se mungon. Por, kush është Gjon Pagëzuesi?
Është zë në shkretëtirë, është dëshmitar i dritës, është ai që na prek zemrat, sepse në këtë botë plot me re e suferinë, të gjithë jemi të thirrur të bëhemi dëshmitarë të dritës. E pikërisht ky është misioni në Kohën e Ardhjes: të jemi dëshmitarë të dritës. E dëshmitarë të dritës mund të jemi, në se e kemi në shpirt dritën, në së jemi të sigurtë jo vetëm se është, por edhe se e kemi parë pakëz dritë”.
Të bëhesh dritëdhënës – pohoi Papa – do të thotë të jetosh si bir i dritës, t’u flasësh të gjithëve me gjuhën e kuptueshme të atij, që e jeton dashurinë e vëllazërinë e krishterë, që ua dëshmon dashurinë e krishterë njerëzve në vështirësi, duke kapërcyer kufijtë e individualizmit, të mbylljes në vetvete e të joshjes së relativizmit, sipas të cilit, çdo lloj sjelljeje është e lejueshme. Më pas Papa kujtoi edhe ndikimin e sekteve, që nuk mungojnë edhe në këtë lagje romake, duke i ftuar besimtarët t’u qëndrojnë besnikë Mësimeve të Kishës:
“Vijoni veprimtarinë ungjillëzuese, përmes katekizmit dhe informimit korrekt rreth asaj. që beson e kumton Kisha Katolike; propozoni me qartësi të vërtetat e fesë së krishterë, jini, siç thotë Shën Pjetri, gati për t’iu përgjigjur kujtdo, që ju pyetë për arsyet e shpresës, të cilën e keni në shpirt (1 Pt 3,15)”.
E ruhuni nga format e ndjenjave fetare, që shfrytëzojnë nevojat e ëndrrat më të fshehta të shpirtit njerëzor, duke propozuar ndihmë të shpejtë, gjithnjë të rreme:
Feja është dhuratë e Zotit, por kërkon edhe përgjigjen tonë, vendimin për ta ndjekur Jezusin, jo vetëm kur na shëron e na shpëton, por edhe kur na fton të duam, deri në dhurimin e vetvetes”.
Duhet vënë rishtas mesha e së dielës në qendër të vëmendjes, si Ditë e Zotit dhe e bashkësisë, porositi në vijim Benedikti XVI:
“Mos e harroni kurrë kuptimin e së Dielës, e, sidomos, takimin eukaristik. Të krishterët e parë ishin gati të dhuronin edhe jetën për Eukaristinë, nga që e dinin se kjo është jeta, se të bën të jetosh vërtet”.
Në përfundim, Papa i ftoi të rinjtë t’u përgjigjen shpresave, që Kisha i mbështet në impenjimin e tyre. E, duke pasur parasysh nevojat e një lagjeje periferike, si kjo, ku jetojnë shumë familje të reja e shumë fëmijë, pohoi:
“Uroj me gjithë zemër, që famullia juaj, edhe me ndihmën e Vikariatit të Romës, të pajiset sa më shpejt me një Oratorio të ndërtuar mirë, me të gjitha hapësirat e nevojshme për lojëra e takime, në mënyrë që të plotësojë nevojat e breznive të reja për edukim fetar e shoqëror”.








All the contents on this site are copyrighted ©.