2011-12-12 17:37:52

Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: gëzim i vërtetë nuk është dëfrimi, por takimi me Zotin. Thirrje për të mbrojtur jetën.


Në ritmet e jetës së përditshme, shpesh të ethshme, kujtojmë se gëzimi i vërtetë i njeriut është takimi me Zotin: këtë nënvizoi Papa në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë. Në të dielën e “Gëzimit”, Papa pohoi se nuk duhet të joshemi nga xixëllimat e vitrinave, që në këtë kohë mbushen përplot me sende kalimtare, por duhet të hyjmë në vetë zemrën e Krishtlindjes.
Në çastin e përshëndetjeve, kujtoi edhe një herë se jeta është e drejta e parë e njeriut. E përfundoi, pastaj, lutjen mariane, me bekimin tradicional të shtatoreve të Foshnjës Hyjnore, për Shpellat e Betlehemit të fëmijëve romakë.RealAudioMP3

Në të dielën, që i fton të gjithë besimtarët të gëzohen, Papa u ndalua tek vigjilenca e zemrës, që duhet ta ketë në qendër të vëmendjes çdo i krishterë, aq më tepër në këto ditë, që na afrojnë tek misteri i Krishlindjes:
Ambienti i jashtëm propozon të njëjtat mesazhe, që kanë për qëllim vetëm fitimin, edhe pse sivjet, më të zbehta, për shkak të krizës ekonomike. Ndërsa i krishteri ftohet ta jetojë Kohën e Ardhjes duke i bërë ballë joshjes së dritave e duke vlerësuar drejt gjërat, që kanë me të vërtetë vlerë, për t’ia ngulur, kështu, sytë vetëm Krishtit”.
Ja, pra, ku mund ta gjejmë gëzimin e vërtetë: në takimin me Zotin. Papa u kujtoi besimtarëve se nuk duhet të rendin pas gëzimeve kalimtare, fryt i dëfrimeve të kota, që duket se e çlirojnë njeriun nga impenjimet e jetës e nga përgjegjësitë e përditshme:
“Gëzimi i vërtetë lidhet me diçka shumë më të thellë. Sigurisht, në ritmet e përditshme, shpesh të ethshme, duhet edhe koha për pushim, për çlodhje, por pa harruar kurrë se gëzimi i vërtetë mund të gjindet vetëm në lidhjen me Zotin. Kush e ka takuar Krishtin në jetën e vet, provon në zemër atë paqe e atë gëzim, që nuk mund t’ia rrëmbejë asnjë njeri, nuk mund t’ia zbehë asnjë rrethanë”.
Më pas, me fjalët e Shën Augustinit, Papa kujtoi se zemra e njeriut është e shqetë, nuk gjen paqe, as qetësi, derisa të pushojë në Tënzonë:
“Gëzimi i vërtetë nuk është gjendje shpirtërore kalimtare, as sukses, që e arrijmë me forcat tona. Gëzimi është dhuratë, lind nga takimi me Vetjen e gjallë të Jezusit, lind nga dëshira jonë për t’i bërë vend në zemër Zotit, për ta pranuar Shpirtin Shenjt, që t’i prijë jetës sonë”.
Në çastin e përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi posaçërisht përfaqësuesit e Lëvizjes për Jetën, me rastin e çmimit “Nënë Tereza e Kalkutës”, që sivjet iu kushtua kujtimit të Kiara Lubich:
Të dashur miq, në përvjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, kujtojmë se e para ndërmjet të gjithave, është e drejta për të jetuar”.
I ftoi, më pas, universitarët romakë, të marrin pjesë në kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore, më 15 dhjetorin e ardhshëm, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në përfundim të lutjes mariane, Sheshi i Shën Pjetrit u tund nga brohoritjet e fëmijëve, që kishin ardhur për t’i kërkuar Papës t’u bekonte Shtatoret e Krishtit për Shpellat e tyre të Betlehemit. E Ati i Shenjtë, pasi falënderoi Qendrën e Oratoreve Romake, organizzatore e nismës, duke i nxitur meshtarët, prindërit e katekistët të bashkëpunojnë me entuziazëm për edukimin e krishterë të të vegjëlve, iu përgjigj kështu:
“Të dashur fëmijë, kur të luteni para Shpellës suaj të Betlehemit, më kujtoni edhe mua, ashtu si edhe unë do t’ju kujtoj ju. Ju falënderoj. Gëzuar Krishlindjen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.