2011-12-10 17:28:25

Shenjtorët e javës që vjen


E diel më 11 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 3-të kohës së Ardhjes, kohë liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po sot më 11 dhjetor bie edhe përkujtimi i shën Damazit I, papë. Liturgjia na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të hënën më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton edhe festën të Lumes Mari Virgjër të Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal.
Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive.
Të martën më 13 dhjetor, bie festa e Shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e Shën Aristonit, martir i Portos. Liturgjia në përkujtim të Shën Luçisë na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e tij.
Liturgjia e së kremtes na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet.
Të mërkurën më 14 dhjetor, bie festa e Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë.
Të enjten më 15 dhjetor kalendari përkujton Shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir, i cili na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjoni na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.
Të premten më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën Davidit mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti
Të shtunën më 17 dhjetor, kalendari përkujton Shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; Shën Gjonin eMatës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan. Danieli me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit.
Të dielën e ardhshme më 18 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 4-të të kohës liturgjike të Ardhjes, e po më 18 dhjetor bie edhe përkujtimi i festës së shën Malakisë profet e të shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.