2011-12-10 17:24:40

Një Gjykatë indiane i quan masakrat kundër të krishterëve të Orisës “krime kundër njerëzimit”


Dhuna kundër të krishterëve të Orisës është kundër të drejtave të njeriut e kundër Kushtetutës. Ajo është planifikuar me kujdes e mund të konsiderohet “krim kundër njerëzimit”. Ka pasur pasoja sidomos për gratë e fëmijët dhe është kryer me pjesëmarrjen e funksionarëve publikë, që edhe sot e kësaj dite nuk janë dënuar. Kështu pohon në raportin e vet të ri, Gjykata kombëtare e Popullit e Kandhamalit, zona e shtetit indian të Orisës, teatër i masakrave kundër të krishterëve në vitin 2008. Gjykata, e cila me iniciativën e Forumit kombëtar të Solidaritetit, mbledh liderë dhe eksponentë të shoqërisë civile, e publikoi pikërisht javën e kaluar, raportin me titull “Në pritje të drejtësisë”. Dokumenti bazohet mbi dëshminë e 45 të mbijetuarve nga dhuna dhe përfshin studimet e hetimet e 15 ekspertëve. Në të flitet qartë për dhunë të qëllimshme e të planifikuar kundër adivasëve dhe dalitëve të bashkësisë së krishterë, duke përdorur fenë si armë mobilizimi politik. Dhuna përmban të gjitha elementet, që e drejta ndërkombëtare i përdor për të karakterizuar “krimet kundër njerëzimit”.
Kujtojmë se në vitin 2008, dhuna e fondamentalistëve hinduistë u përplas mbi ata të krishterë, që nuk pranuan të ktheheshin në hindu. Me policinë e autoritetet, që bënin sikur nuk shihnin e nuk dëgjonin, të krishterët u vranë, gratë e tyre u përdhunuan, shtëpitë u dogjën dhe tokat u morën nga hinduistët. Shteti, i cili mungoi atëherë, u ka dhënë vetëm disa shpërblime të pakta viktimave dhe nuk bën asnjë përpjekje për të gjetur e dënuar me seriozitet fajtorët. Në raport, bëhet thirrje jo vetëm të merren masat për këtë, por edhe të përballohet problemi i tokës së dalitëve dhe të adivasëve të krishterë, në mënyrë që vërtet të mbrohen të drejtat e pakicave dhe liria fetare, siç theksohet me Kushtetutë.







All the contents on this site are copyrighted ©.