2011-12-10 17:26:19

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 3-të të Ardhjes


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së III-të të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Kjo e diele e tretë e Ardhjes quhet e diela e gëzimit, sepse jemi afër Lindjes së Jezu Krishtit Zot. Këndej tema qendrore e leximeve biblike të kësaj së diele është gëzimi e galdimi, që për ne burim i gëzimit është pikërisht Jezusi sepse Ai vjen për të na vizituar e për të na dhënë dashurinë e tij. Ungjilli i kësaj së diele marr nga Shën Gjoni, na paraqet figurën e Gjon Pagëzuesit si shembull e mësues që na udhëheq në zbulimin dhe pranimin e Dritës së Zotit që po vjen në errësirën tonë e përditshme, për të ndriçuar udhën tonë drejt shpëtimit.
LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 61, 1-2. 10-11.)
Të gjithë të krishterët janë meshtarët e Zotit dhe ministrat e Hyjit. Kanë marrë një shugurim që i bën profetë të Ungjillit, dëshmitarë të besëlidhjes mes Hyjit dhe njerëzve. Në duart tona qëndron fara e drejtësisë dhe e lumturisë. Ne na është besuar misioni për të bashkuar njerëzit me Hyjin. Ne zotërojmë dinjitetin të jemi popull i bekuar nga Zoti, duke marrë pjesë në vështirësinë dhe dhimbjen e njerëzve për të ripërtërirë historinë.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; ta shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Hyjit tonë, t’i ngushelloj të gjithë ata që qajnë.
Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me stoli argjendi. Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi, porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij, kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia edhe lavdia në sy të të gjithë popujve. Fjala e Zotit

Lk 1, 46-50. 53-54
Ref: Shpirti im me hare i brohorit Hyjit.
_____________
Shpirti im e madhëron Zotin,
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë:
po, që tani të gjitha breznitë
do të më quajnë të lumtur.
_____________

Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm:
i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni me brezni
për ata që e nderojnë.
_____________
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë,
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën.”
_____________
Leximi i dytë (1 Sel 5, 16-24)
Shën Pali nxit të krishterët për të bërë të mirën dhe për tu larguar nga e keqja, të jenë gati për ardhjen e Zotit, duke jetuar gëzimin që i përkasin Krishtit dhe Kishës së tij. Kemi marrë dhuratën e profecisë që e bën aktual Ungjillin dhe e bën të pranishëm sot Shpirtin e Hyjit në njeriun.
Nëse nuk jetojmë profecinë, shuajmë dritën e Fjalës që Kisha duhet t’i dërgojë botës, dhe nuk komunikojmë dhuratën që shpëton njeriun.


Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, gëzohuni gjithmonë! Lutuni pa pushim! Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin! Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju! Profecitë mos i përbuzni! Çdo gjë shqyrtoni me kujdes: mbani të mirën! Çdo lloji të së keqeje rrini larg!
Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi – u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit! Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu! Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.

V Ungjilli (Gjn 1, 6-8. 19-28)
Gjoni do të jetë vetëm një “zë”, do të tërheqë vemendjen e popullit drejt një të panjohuri që është Mesia. Në kohën e Ardhjes, Kisha kërkon e dëshiron paqen e vëllazërimin mes njerëzve e popujve. Ajo, ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi, duhet të jetë e përvuajtur dhe e fshehtë.
Kisha nuk ka një përgjigje për të gjitha pyetjet njerëzore, ajo nuk është pronarja e Zotit, por është jehona e zërit të Tij. Misioni më i rëndësishëm i Kishës është t’iu dhurojë Krishtin zemrave të njerëzve, duke shndritur me Fjalën e Tij shpresën, luftërat, gëzimet dhe dhimbjet e njerëzimit.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën.
Dhe ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: “Unë nuk jam Mesia!”
“Kush pra? – e pyetën ata. – A mos je Elia?”
“Nuk jam!” – u përgjigji. “
A je Profeti?” “Jo!” – ua ktheu.
Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”
Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Rrafshoni udhën e Zotit!’ – sikurse tha Isaia profet.”
Disa prej të dërguarve ishin farisenj. Ata e pyetën: “Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”
Gjoni përgjigji: “Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen mbas meje, por të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”
Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.
Fjala e Zotit
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës e Zotit mund të dëgjoni këtu.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.