Editorial i atë Federiko Lombardit: “Me emigrantët”
Javës së kaluar, Selia e Shenjtë u bë anëtare me të drejta të plota e Organizatës
Botërore për Emigracionin. Ishte kjo, një kërkesë e Vatikanit, në mënyrë që të kontribuojë
më shumë e më mirë në përmirësimin e jetës së emigrantëve e në zgjidhjen e problemeve
të tyre. Këtu e përqendron edhe komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë,
atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: “Sipas parashikimeve,
gjatë këtij shekulli, mëse 200 milion njerëz do t’i shtohen numrit aktual të emigrantëve
në botë. Kriza ekonomike nuk i pakëson problemet e emigracionit, por i rëndon nga
shumë pikpamje. E kështu, fluksi i burrave e grave, që largohen nga vendet e tyre
nën shtysën e varfërisë, të fatkeqësive natyrore, ose të shtypjes, edhe me rrezik
jete, duke kapërcyer Mesdheun, Detin e Kuq, shkretëtirën e Sinait apo atë të Arizonës,
vazhdon e do të vazhdojë. Si t’i mbrojmë, si t’i presim, si t’u japim atyre mundësinë
e një jete të sigurtë e dinjitoze, që të mos shihen si rrezik, por si pararoja e si
ndërtues urash në mesin e njerëzimit global? Selia e Shenjtë është jashtëzakonisht
e impenjuar në këtë front. Qysh Papa Piu XII, përforcuar më pas nga Pali VI, deshi
që Kuria Romake të kishte një Këshill të veçantë për këto probleme. Tani, Vatikani
kërkoi dhe ia arriti të jetë jo vetëm Vëzhgues, por Anëtar me të drejta të plota në
Organizatën Ndërkombëtare për Emigracionin në Gjenevë, pikërisht për ta intensifikuar
veprimtarinë dhe pjesëmarrjen e tij solidare në impenjimin për bashkësinë e popujve.
Selia e Shenjtë e ngre zërin në mbrojtje të të drejtave, mbi bazën e bindjes së patundur
se çdo njeri ka dinjitetin e vet, por i bën jehonë edhe e përvojës së shumë organizatave
katolike, që veprojnë vërtet në vijën e parë të frontit, në çdo kontinent, duke u
dhënë përmbajtje e besueshmëri fjalëve dhe propozimeve. Me emigrantët, me refugjatët,
duke u dhënë atyre mundësinë të jetojnë e të zhvillohen, duhet të ndërtojmë së bashku
një të ardhme më të mirë”.