2011-12-09 18:31:55

Predikimi II i Kohës së Ardhjes. Atë Kantalamesa: kush lutet pa folur, ungjillëzon më mirë.


Fjala e Ungjillit përhapet më mirë, kur veprimtaria apostolike buron nga lutja e thellë. E pohoi këtë atë Kantalamesa, në predikimin II të Kohës së Ardhjes, mbajtur sot në Vatikan, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake. Predikatari papnor përmblodhi me pak fjalë, historinë e Kishës katolike në kohën e sulmeve barbare e të misionit të murgjërve të mëdhenj, që ungjillëzuan Evropën. Ishte vijim i predikimit I të Kohës së Ardhjes, në të cilin kapuçini italian kujtoi përhapjen e mrekullueshme të bashkësive të para të krishtera nëpër botën e lashtë. Shkretëtira e madhe, shpjegoi, sot nuk janë skajet as skutat e harruara të botës, por qytetet e mëdha të shekullarizuara.RealAudioMP3
Jemi në vitin 476 pas Krishtit. Njerëzit shikojnë si shemben pasuri e shpresa, ëndrra e ardhmëri. Perandoria romake merr fund e trojet e saj plaçkiten nga popullsi barbare, që dynden nga të katër anët. E hutuar dhe e shtypur nën peshën e ngjarjeve tragjike, Kisha duhet të marrë një vendim. Duhet t’i japë përgjigje pyetjes: ç’qëndrim të mbajë përballë kësaj situate të turbullt e turbulluese? Atë Kantalamesa u nis nga kjo skenë, për të folur mbi valën e dytë ungjillëzuese që, jo pa mundim të madh, nisi të pushtonte Evropën në agim të Mesjetës, e kryesuar nga Papët e nga një sërë figurash të mëdha Shenjtorësh, që rrezatuan dritën e Ungjillit mbi këtë epokë të errët. Në vitin 410 Gotët plaçkisin Romën. Shumë njerëz, ndërmjet të cilëve edhe Shën Jeronimi, mendojnë se ky duhet të ishte fundi i botës. Ishte vërtet fund, shpjegoi predikatari, por jo i mbarë botës. Përfundonte vetëm një botë, ajo romake. Si kaloi hutimi, të krishterët nisën t’i shikojnë barbarët me një sy tjetër. Nuk ishin më kërcënim, por fushë e pafundme e misionit. E veprimtaria misionare për ungjillëzimin e tyre, do të krijonte aspekte të reja, të ndryshme nga ato të botës greko-romake:
Atje, krishterimi kishte përballë vetes një botë të kulturuar, të organizuar, me rend, ligje, gjuhë të përbashkëta: kishte një kulturë, me të cilën mund të dialogonte e të ballafaqohej. Tani duhej të zhvillonte njëkohësisht veprimtari qytetëruese e ungjillëzuese; duhej t’u mësonte njerëzve shkrim e këndim, ndërsa u shpjegonte doktrinën e krishterë. Kështu inkulturimi paraqitej me një formë krejt të re”.
Këtij inkulturimi i kushtojnë gjenialitetin, guximin e zellin apostolik, figura të mëdha murgjërish. Murgjër me frymë aventure, me shpirt paolin, nisin të shtegtojnë në troje, ku nuk kishte arritur kurrë Ungjilli. Shën Benedikti, Shën Kolumba, Shenjtorët Çirili e Metodi i mbjellin trojet evropiane me manastire të panumërta, qendra të lumnueshme kulture të krishterë, rreth të cilave formohen qytetet e mëdha të botës moderne. E kjo stinë, tha atë Kantalamesa, ka një farë ngjashmërie me stinën, në të cilën jetojmë:
“Asokohe popujt lëviznin nga lindja, në perëndim; tani, nga Jugu, në Veri. Kisha, me magjisterin e saj, e ka zgjedhur, edhe në këtë rast, fushën e veprimtarisë, duke ia hapur portat së resë e krahët, popujve të rinj. Ndryshimi është se sot në Evropë nuk vijnë popuj paganë, ose të krishterë heretikë, por, gjithnjë më shpesh, popuj që kanë një fe të fortë, të vetëdijshme. Fakti i ri është fryma e dialogut, që nuk i kundërvihet ungjillëzimit, por e përcakton stilin e tij”.
Gjithsesi, sipas predikatarit françeskan, epoka e pushtimit të Evropës nga barbarët, vijon të na japë një mësim të çmuar. Na kujton rëndësinë e jetës kundruese, në veprimtarinë për ungjillëzimin e ri, gjë që e dëshmojnë shumë shembuj të epokës moderne, duke nisur nga Bashkësia e Tezesë , tek ajo e Bozes:
Nuk mjafton, me fjalë të tjera, vetëm lutja për misionarët, duhet lutja e misionarëve. Murgjërit e mëdhenj, që riungjillëzonin Evropën, pas sulmeve barbare, ishin njerëz të dalë nga heshtja e kundrimit, të gatshëm për t’u rikthyer në këtë heshtje, sapo t’u krijoheshin rrethanat e përshtatshme. Na e tregon këtë shembulli i Shenjtorëve. E, sidomos, dita e Jezusit, gërshetim mahnitës i lutjes me predikimin”.
Krishti nuk lutej vetëm para se të predikonte. Lutej që të dinte ç’duhej të predikonte. Lutej, që nga lutja t’i buronin fjalët, të cilat duhej t’ia thoshte botës. Prandaj pohonte: “Çka them, e them ashtu si ma tha Ati” (Gjn 12,50). Prej këndej, gërshetimi, i cili sot është në rrezik në jetën e Kishës, vërejti atë Kantalamesa. Rrezikohet, nga njëra anë, prej plogështisë së atyre, që nuk bëjnë gjë prej gjëje; nga ana tjetër, nga zelli i ethshëm, e i zbrazët, i atyre që e harrojnë fare lidhjen me gurrën e Fjalës.
E vërejtjes së disave, që mendojnë se nuk mund të rrish me duar të bashkuara e të lutesh, kur shtëpia kallet flakë, predikatari iu përgjigj me fjalët:
Kjo është e vërtetë, por merreni me mend ç’do të ndodhte në se skuadra e zjarrfikësve, kur të arrinte në vendngjarje, do të kujtohej se nuk ka me vete as serbator e asnjë pikë ujë. Kështu jemi edhe ne, kur vrapojmë të predikojmë, në sa harrojmë të lutemi. Ungjillëzon më mirë e më shumë ai që lutet, pa folur, sesa ai që flet, pa u lutur”.
Kush është modeli i përkryer që na çon te Krishti? - pyeti në përfundim predikatari. Pa dyshim, Maria:
Ajo e mbante Fjalën në kraharor, jo në gojë. Ishte përplot, edhe fizikisht, me Krishtin dhe e rrezatonte me gjithë praninë e vet. Jezusi dilte nga sytë e saj, nga fytyra, nga e gjithë figura e Marisë. Kur ndokush lyhet me erë të mirë, nuk ka nevojë të na e thotë këtë; mjafton t’i rrish pranë, për ta kuptuar menjëherë. E Maria, posaçërisht në kohën kur e mbante në kraharor, ishte përplot me erëmirën e Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.