2011-12-09 18:32:22

Ipeshkvijtë kubanë: Benedikti XVI “Shtegtar i dashurisë së krishterë” në Kubë, me rastin e 400 vjetorit të gjetjes të Zojës së “Karidad del Cobre”.


Në Letrën baritore, botuar dje, me rastin e fazës përfundimtare të shtegtimit kombëtar, në vitin kushtuar Zojës së “Caridad del Cobre”, ipeshkvijtë e Kubës konfirmuan vizitën e ardhshme të Benediktit XVI në vend, me moton: “Shtegtar i dashurisë së krishterë”. Përmes Letrës, prelatët u bëjnë thirrje të gjithë kubanëve t’i jetojnë me gëzim kremtimet jubilare, kushtuar 400-vjetorit të zbulimit të Zojës së “Caridad del Cobre”, që do të organizohen duke nisur nga 7 janari 2012, për të përfunduar më 5 janar 2013. Figura e Zojës së Bekuar, me Foshnjen hyjnore në krahë, u gjet nga disa peshkatarë të varfër, në vitin 1612. E panë fare rastësisht, në sa lundronin me kanoa në gjirin lindor të Nipes: lëkundej mbi ujë, mbi një copë dërrase, ku lexoheshin fjalët: “Unë jam Zoja e dashurisë së krishterë”. Populli kuban, shkruhet në Letrën baritore, ka shumë nevojë për këtë gëzim feje, në mënyrë që ata, të cilët vijojnë të jenë besimtarë, ta thellojnë fenë, ndërsa ata, që u larguan, të mund të rikthehen, për të provuar edhe një herë, gjithë së bashku, dashurinë e madhe të Zotit, duke i kapërcyer ndryshimet e duke u bashkuar rreth figures së shenjtë të Nënës së Dashurisë.
Pajtimi ndërmjet kubanëve duhet të jetë fryti i parë i Vitit jubilar, si rezultat i ndryshimeve të mendësisë e të sjelljes ndaj të afërmit. Atje ku është Zoti, është ardhmëria; ku është Zoti, është gëzimi, nënvizojnë ipeshkvijtë, duke kujtuar edhe se kombi kuban ka shumë nevojë për dashurinë e krishterë, sepse , siç thotë Shën Pali, “Dashuria është e durueshme, është e mirë dashuria; nuk është smirzezë dashuria, nuk mburret, nuk fryhet, nuk mungon në respekt, nuk kërkon leverdinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mba në mend të keqen që i kanë bërë!... (1 Kor 13, 1.4-5). Dashuria e krishterë është tepër kërkuese, sepse buron nga dashuria e plotë e Krishtit për ne: është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, i mbyllur në egoizmin e tij, por për ‘Atë që vdiq e u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15). Dashuria e Krishtit na bën të jemi në Të, ajo krijesë e re (cfr 2 Kor 5,17), e cila hyn e merr pjesë në Korpin e Tij mistik, që është Kisha”. Urojmë që kjo frymë jubilare, përfundojnë ipeshkvijtë, të jetohet thellësisht nga të gjithë kubanët, duke kapërcyer indiferencën ndaj atij, që vuan e duke lënë pas shpine përçarjet, mllefet, armiqësitë, sepse Kuba ka nevojë për besim në një ardhmëri më të mirë, me drejtësi e paqe, pajtim e unitet ndërmjet të gjithë bijve të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.