2011-12-09 18:50:01

Festë për 100-vjetorin e katedrales së Jangonit. Përshëndetja e Papës


Katedralja e shën Marisë në Jangon, vendi më i rëndësishëm i kultit të krishterë në Mianmar, festoi 100-vjetorin e saj. Papa dërgoi si përfaqësues të vet kardinalin Renato Rafaele Martino, i cili gjatë Meshës, u lexoi besimtarëve përshëndetjen e Atit të Shenjtë. Në mesazh, Benedikti XVI nënvizon veçanërisht nevojën e dëshmisë së dashurisë për Ungjillin e për Kishën e Krishtit.
Së bashku me prelatin, në elter, edhe kryeipeshkvi lokal, imzot Çarls Bo, ipeshkvij të tjerë birmanë e shumë meshtarë. Mesha qe rasti për të theksuar edhe një herë para autoriteteve të regjimit, të drejtën e lirisë së fesë dhe rëndësinë e edukimit e të arsimimit, si faktorë parësorë në zhvillimin e njeriut. Në kremtim mori pjesë edhe kryetarja e opozitës demokratike, Aung San Su Çi, Çmim Nobel për Paqen.
Për të lehtësuar kuptimin e Meshës për mijëra besimtarët, që kishin ardhur edhe nga jashtë shtetit, homelia u lexua në gjuhën angleze e në atë birmane. Gjithashtu, gjatë liturgjisë, u përdorën dialektet e ndryshme të panoramës shumëngjyrëshe etnike e gjuhësore të Mianmarit. Gjatë tri vjetëve të fundit, katedralja e Zojës në Jangon u restaurua, duke u kthyer në shkëlqimin e parë, pa gjurmët e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 1930, nga bombat e Luftës II Botërore dhe nga kalimi i ciklonit Nargis në vitin 2008. Janë zëvendësuar 88 vetrata, vepër e artistëve tai, në të cilat pasqyrohen 12 apostujt dhe jeta e Krishtit. Pas shtatores së Zojës së Papërlyer është vendosur një dritë, që e bën atë të dukshme edhe natën.







All the contents on this site are copyrighted ©.