2011-12-08 09:24:07

"Hirëplote", emri më i bukur i Marisë Virgjër.


Virgjëra Mari jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por u ruajt edhe nga mëkati i rrjedhshëm, trashëgimi e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore”, sepse Zoti i kishte caktuar Marisë misinin të ishte Nëna e Shëlbuesit. Këtë e përmban e vërteta e fesë që flet për të Papërlyerën, duke pohuar se fjala ‘Hirplote’- në origjinalin grek kecharitoméne – është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti. E kjo tregon se Maria është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur për të pranuar dhuratën më të çmuar, Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit”.
Mund të na lindë pyetja: pse ndërmjet të gjitha grave, Hyji zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit? Përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në misterin e pamatshëm të vullnetit hyjnor, por edhe Ungjilli vë në dukje një arsye të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë e Marisë. Në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dante Aligerit, pikërisht në Këngën e fundit të Parajsës, shkruhet: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Biri, / ti e përvujtë e e lartë përmbi krijesat të tëra/…E vetë Virgjëra, në ‘Magnificat’, thotë: “Shpirti im madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë”. E Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij:
U bë kështu Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore.
Maria e pranoi Jezusin me fe e ia dhuroi botës me dashuri.
Kjo është edhe thirrja jonë e misioni ynë, thirrja e misioni i Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë e t’ia japim botës, që bota të shëlbohet përmes Tij.
Besimtarët duhet ta shikojnë festën e sotme të Zojës së Papërlyer si një fanar që ndriçon Kohën e Ardhjes, kohë në të cilën, vigjilentë e plot besim, presim ardhjen e Shëlbuesit - e Marinë, si shenjë të ndritur e të sigurtë shprese e ngushëllimi për popullin e Zotit në shtegtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.