2011-12-08 17:43:09

Benedikti XVI gjatë Engjëllit të Tënzot: Zoja e Papërlyer na ka afruar me qiellin, të bëjmë të shkëlqejë hiri i Zotit mbi tokë.


Si Maria e cila me Po-në e saj thënë Zotit, “e afroi Qiellin me tokën”, po kështu edhe ne, me ndihmën e saj, duhet të bëjmë “të shkëlqejë në jetën tonë” “përsosuria e hirit të Zotit”. Me këto fjalë Papa Benedikti XVI vuri në pah kuptimin e thellë të Solemnitetit të Zojës së Papërlyer, së cilës ia kushtoi reflektimin shpirtëror të Lutjes së Engjëllit të Tënzot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ndërsa sot pasdite Papa Ratcinger bëri homazhet tradicionale te shtatorja e Zojës së Papërlyer në Sheshin Spanja, në Romë.
Prej shekujsh mendimi i krishterë kërkon fjalitë më frymëzuese për të treguar të patregueshmen, për tejkaluar kufizimin e fjalëve për të përshkuar përsosurinë e hirit hyjnor ruajtur nga Hyji për Nënën e të Birit të vet. Benedikti XVI e përshkoi para lutjes së Engjëllit të Tënzot historikun dhe domethënien e festës së Zojës së Papërlyer, duke u nisur nga viti 1854, vit kur dogma e të Zënit të Pamëkat të Zojës së Bekuar shpallej nga Papa Piu IX me Letrën apostolike ‘Ineffabilis Deus’. Ajo që ishte bindja e ushqyer prej shekujsh nga pjesa më e madhe e botës së krishterë bëhej, kujtoi sot Benedikti XI, “ një e vërtetë e fesë”, njohje e “privilegjit” që Zoti ia dhuroi Marisë për të qenë “e përjashtuar, pra e patëmetë, e panjollë nga mëkati i rrjedhshëm apo origjinal”:
“Shprehja ‘hir plote’ tregon veprën e mrekullueshme të dashurisë së Zotit, që deshi të na dhuronte përsëri jetën dhe lirinë, humbur me mëkat, përmes Birit të vet Njëlindurit të mishëruar, vdekur e ngjallur. Për këtë, që nga shekulli II në Lindje e në Perëndim, Kisha lut dhe kremton Virgjërën që, me “po-në” e saj, ka afruar Qiellin me tokën”.
Papa Ratcinger citoi edhe shprehjet e autorëve të lashtë kishtar, si shën Sofronin e Jerusalemit apo shën Bedën e Nderuar. Po jo vetëm Virgjërës Mari, pohoi Ati i Shenjtë, i qe dhënë “përsosuria e hirit hyjnor”. Edhe “neve na është dhuruar”, tha Benedikti XVI, e duhet të bëjmë në mënyrë që të “shkëlqejë në jetën tonë”, sepse jemi të paracaktuar nga Hyji – siç shkruan shën Pali – të jemi “bijtë e tij të adoptuar”:
“Këtë bijësi e marrim përmes Kishës, në ditën e Pagëzimit. Lidhur me këtë shën Hildegada e Bingenit shkruan: ‘Kisha është, pra, virgjëra nënë e të gjithë të krishterëve. Në saje të fuqisë së fshehtë të Shpirtit Shenjt i ngjizë e i qetë në dritë, duke ia ofruar Zotit në mënyrë që të quhet bijtë e Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.