2011-12-07 19:26:40

Takim i katolikëve me xhainistët për të bashkëpunuar, duke u nisur nga mospranimi i dhunës e pohimi i dashurisë së krishterë.


U takua, dje, në Romë, një delegacion i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kryesuar nga kryetari i dikasterit, kardinali Zhan Lui–Toran, me një delegacion xhainist, kryesuar nga zoti Nemu Kandaria, zevendës-kryetar i Këshillit drejtues të Institutit xhainist. Është takimi i dytë, pas atij të 1995-ës. Gjatë bisedimeve, zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e miqësore – njofton një komunikatë - të dy delegacionet shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin ndërmjet bashkësive të krishtera e xhainiste, në vendet ku jetojnë.
Delegacionet shprehën edhe dëshirën për zgjerimin e bashkëpunimit reciprok dhe theksuan se është e nevojshme të fuqizohet ky bashkëpunim në nivel lokal, për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. U vu theksi edhe mbi rëndësinë e edukimit të të rinjve, që t’i njohin më mirë traditat e tyre e t’i respektojnë ato të të tjerëve. Për ta thelluar bashkëpunimin, u theksua parimi xhainist i mospranimit të dhunës dhe parimi i krishterë i dashurisë. Gjatë bisedimeve, u vunë në dukje elementet e përbashkëta, që mund të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet katolikëve e xhainistëve, pa harruar edhe ndryshimet. Delegacionet pohuan se këto elemente, në planin praktik, tingëllojnë si ftesë drejtuar besimtarëve të të dyja traditave, për thellimin e respektit të anasjelltë, për pohimin e së vërtetës, ndërtimin e paqes, vlerësimin e ndershmërisë, mbrojtjen e lirisë, paqes, harmonisë shoqërore, e, në mënyrë të posaçme, për luftën e përbashkët kundër çdo forme të dhunës, të varfërisë e të shfrytëzimit të padrejtë të burimeve natyrore.
Kujtojmë se xhainizmi apo Jainizmi është besim i lashtë e, sidomos, filozofi, mbasi nuk ka hyjni të përcaktuara. Bazohet mbi mësimet e Mahavirës (559-527 para Krishtit), oshënar fisnik, që predikonte përsosurinë njerëzore përmes rrugës së mospranimit të dhunës. Sipas doktrinës së tij, filozofia xhainiste bëhet mënyrë e të jetuarit, mënyrë e të kuptuarit dhe e kodifikimit të të vërtetave të amshuara e universale, që rastësisht iu zbuluan njerëzimit e që më pas, u ridukën në mësimet e njerëzve, të cilët kishin arritur të ndriçohen ose të përvetësojnë të gjitha shkencat. Xhainistët besojnë se në pjesën e universit, ku jetojmë, e në ciklin e sotëm kohor, filozofia iu komunikua njerëzimit nga mësuesi mitik Rishabha. Provat, ardhur nga qytetërimi i luginës së Indit (3000-1500 para Krishtit) vërtetojnë se ky mjeshtër jetoi me të vërtetë. E vërtetojnë këtë, kryesisht vulat me emrin e tij, gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1921, që e zbuluan këtë qytetërim.







All the contents on this site are copyrighted ©.