2011-12-07 16:11:57

Sulm kundër shiitëve në Afganistan. Varrosen gati 60 të vdekurit


Presidenti afgan Hamid Karzai u kthye sot në Kabul, pasi anulloi udhëtimin e tij në Evropë, për të hetuar mbi atentatet e djeshme kamikaze në kryeqytet dhe në Mazar-i-Sharif, gjatë kremtimit të festës së Hashures. Bilanci i viktimave, të cilat u varrosën sot në një atmosferë të nderë, arriti në gati 60 vetë. Qe një sulm pa precedent kundër myslimanëve shiitë, përgjegjësit e të cilit akoma nuk kanë emër. Talebanët deklaruan se nuk qenë ata autorët e madje i quajtën sulmet “çnjerëzore”. Dyshimet çojnë drejt militantëve pakistanezë, të cilët akuzohen se duan të ndezin dhunën sektare në Afganistan, ashtu siç po bëjnë në Irak.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur urgjentisht, pasi edhe sot, një bombë në zonën e Helmandit, vrau 19 vetë. Vetë presidenti Karzai, në Konferencën ndërkombëtare për Afganistanin në Bon të Gjermanisë, pati thënë se arritja e qëndrueshmërisë dhe e paqes në vend është akoma larg. Por cila është gjendja e sotme në Afganistan? Flet në mikrofonin tonë, Naheed Abdullah, e Organizatës së Shërbimeve Sociale për Gratë Afgane, e cila merret me mikrokreditë për gratë, së bashku me Fondacionin “Pangea”. Ky i fundit ka në plan ndërtimin e një shtëpie për nënat e fëmijët në Kabul. Por të dëgjojmë Naheed Abdullah:
Afganistani është një vend ku ndeshen interesat e shumë vendeve të tjera, prandaj nuk është në paqe, por nuk është as krejtësisht në luftë. Paqja e lufta varen nga interesat e këtyre vendeve, afër e larg Afganistanit.
A ishte e pranishme në Konferencën e Bonit, më 5 dhjetor, shoqëria civile?
Shoqëria civile dëshiron që gratë të kenë një rol më të madh. Në konferencë ishte një përfaqësi e Rrjetit të Grave Afgane, në të cilin bëjmë pjesë edhe ne. Ky rrjet punon e ka punuar gjatë 10 vjetëve të fundit, për përmirësimin e rolit të grave në shoqëri, sidomos në procesin e paqes. Problemi është se në këto konferenca, grave u jepen 10 minuta kohë e natyrisht, në 10 minuta, nuk mund të negociohet pozicioni i grave në shoqërinë afgane në përgjithësi. Ajo, që duan gratë është, së pari, paqja e, pastaj një mundësi ekonomike për të rifilluar jetën.
Por si mund të sigurohet kjo mundësi ekonomike? Dimë se Fondacioni “Pangea” ka disa projekte. Si punoni ju në Afganistan?
Jam përgjegjëse për projektin e mikrokredisë “Xhamila” në Afganistan. Jemi në Kabul, ku sot jetojnë rreth 5 milion vetë. Në një vit, punojmë me gati 500 gra. Nuk u japim atyre thjesht asistencë, por i përgjegjësojmë për punën, që duhet të bëjnë me kredinë tonë, duke përfshirë edhe familjen. Projekti është i vlefshëm për ato gra, që kanë një profesion, që dinë të administrojnë ndonjë aktivitet të vogël. Kur gratë nuk i kanë këto aftësi, shohim nëse i kanë bashkëshortët, ose bijtë. Përmes grave i jepet kredia gjithë familjes, e cila merr pjesë në një proces formimi, duke filluar nga njohuritë për mikrokredinë dhe mënyrën e administrimit e të kthimit të parave, që u japim e deri tek kurset për shëndetin, për të drejtat, madje edhe deri tek leksionet e matematikës, sepse duhet të mësojnë si bëhen llogaritë.
A të kujtohet ndonjë frazë e veçantë, që ndonjëra nga këto gra të ka thënë?
Po. Fraza e njërës prej grave më ka bërë shumë përshtypje. Ishte hera e tretë, që merrte një mikrokredi, për të zgjeruar aktivitetin e vet. E kërkoi edhe për të katërtën herë, por ne i thamë se kredia mund të rinovohej vetëm tri herë. M’u përgjigj: “Jo, mos thuaj kështu, sepse nuk do të lë kurrë. Nëse një ditë do të shkosh në qiell, do të të kap prej këmbësh për të të sjellë sërish në tokë e, nëse do të shkosh nën tokë, do të të kap për veshësh për të të tërhequr lart, sepse ju do të jeni me ne përgjithmonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.