2011-12-07 15:20:54

Imzot Mambertì në OSBE: 200 milion të krishterë persekutohen ose diskriminohen në botë


Kujdes për emigrantët, mbrojtje të lirive themelore, në veçanti, të asaj fetare, mbështetje për romët dhe e sintët, luftë kundër trafikut të njerëzve: këto janë kërkesat e Selisë së Shenjtë për OSBE-në, Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, e cila që dje, është mbledhur në Vilnius të Lituanisë për Këshillin e saj të 18-të ndërministror. Qëndrimi i Vatikanit u shpreh nga sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì, i cili nënvizoi se liria e fesë vazhdon të dhunohet edhe sot e se numri i të krishterëve, të konfesioneve të ndryshme, që persekutohen e diskriminohen në botë, mund ta kalojë 200 milionëshin.
Prelati i lartë kujtoi mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes, në të cilin Benedikti XVI denoncon faktin se të krishterët janë “aktualisht, grupi fetar, që vuan numrin më të madh të persekutimeve për shkak të fesë”. Imzot Mambertì kërkoi të kremtohet një Ditë ndërkombëtare kundër persekutimit dhe diskriminimit të të krishterëve, në mënyrë që të sensibilizohen qeveritë për këtë çështje.
Ndër shqetësimet e Selisë së Shenjtë janë edhe emigrantët: niveli i tyre shoqëror, roli i tyre ekonomik, sidomos bashkimi familjar, që ndikon fuqishëm në integrimin e tyre. Imzot Mambertì kërkoi kujdes të veçantë e mbrojtje për dinjitetin e popullsive rom e sintë, për të cilat OSBE-ja ka hartuar një plan veprimi, por pretendoi edhe impenjimin kundër trafikut të njerëzve, kundër shfrytëzimit të seksit e të punës, që nuk mund të ketë rezultat, pa luftën kundër korrupsionit dhe pa edukimin në shkolla.
Nga ana tjetër, Selia e Shenjtë vlerësoi masat për forcimin e veprimtarisë kundër trafikut të armëve të lehta, si edhe përpjekjet për ta bërë më të sigurtë magazinimin e municioneve. Janë elemente, që së bashku me mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, ndikojnë në luftën kundër terrorizmit, theksoi imzot Mambertì. Së fundi, sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet lavdëroi projektet kundër drogës dhe varianteve të saj kimike.







All the contents on this site are copyrighted ©.