Benedikti XVI: shën Ambrozi qe dëshmitar i vërtetë i Zotit
Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Ambrozit: mësuesit e fesë
të jenë para së gjithash dëshmitarë, e jo "palaço që luajnë një rol". “Kush predikon
Ungjillin, krahas dijes së fituar përmes studimit dhe reflektimit, duhet edhe ta dëshmojë
dashurinë e krishterë për të tjerët, por nuk mund të jetë kurrë palaço që luan një
rol, sepse këtë ia kërkon zanati”. Është një pohim me vlera të mëdha kjo sintezë e
katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në
Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar figurës së Shën Ambrozit. Ambrozi qe një Gjon
tjetër. Ipeshkvi i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit
e funksionar civil - u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën
Gjoni Apostull, qe i aftë ta thithte drejtpërdrejtë nga Zemra e Mësuesit thelbin e
mesazhit të tij të dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos,
dëshmitar i dashurisë së krishterë. Me këtë krahasim e përfundoi katekizmin e sotëm
Benedikti XVI, i cili u paraqiti tridhjetëmijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin
e Shën Pjetrit, figurën e një dëshmitari të vërtetë të Zotit. E duke vijuar të
flasë për Shën Ambrozin, Papa shpjegoi se ipeshkvi shenjt pati meritën ta kthente
zemrën e Shën Agostinit në rrugën e Zotit, jo vetëm falë përshpirtërisë, por kryesisht
falë shembullit të tij. Agostini – shpjegoi Benedikti XVI - u prek thellë kryesisht
nga radha e gjatë e njerëzve që kërkonin çdo ditë të flisnin me Ambrozin ipeshkëv,
sepse ai u jepte ngushëllim e këshilla të urta për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Duke folur për shërbimin që kryen Ambrozi e Agostini – vërejti Papa – kuptohet menjëherë
se katekizmi është i pandarë nga dëshmimi i tij në jetë. E këtë duhet ta kenë të qartë
edhe katekistët e sotëm: “Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë
të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati.
Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i
pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e
Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit
mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme
e të frytshme”. Për Agostinin e ri, ende në kërkim të Zotit, fryti i kumtimit
të krishterë u shfaq me një dukje të dyfishtë: personale e komunitare. Dëshminë personale
e pa me sytë e vet tek ipeshkvi i asokohshëm i Milanos. Benedikti XVI tregoi sesi
ipeshkvi i ardhshëm i Iponës mbeti pa mend, kur e pa Ambrozin duke e lexuar Shkrimin
Shenjt me gojë mbyllur, vetëm me sy. Një lexim i tillë i binte ndesh dokeve të kohës,
sipas të cilave Bibla duhej lexuar me zë të lartë edhe personalisht. Nga kjo mënyrë
e leximit të Shkrimit Shenjt, Agostini fitoi aftësinë për t’u familjarizuar me Biblën: “Në
këtë lexim me lëvizje të pandjeshme të buzëve, përmes të cilit zemra përpiqet të arrijë
urtinë e Fjalës së Hyjit - e kjo është ikona për të cilën po flasim – mund të shihet
qartë metoda e katekizmit ambrozian: është vetë Shkrimi Shenjt, i përvetësuar në thellësi
të shpirtit, që të mëson çka duhet të kumtosh për t’u prirë zemrave në rrugën drejt
Zotit”. Papa theksoi se dëshironte që kjo figurë e Shën Ambrozit të mbetej
në kujtesën e besimtarëve si ikonë patristike, përmes së cilës duket qartë “zemra
e doktrinës ambroziane”. Por ikonë është edhe dëshmia e fesë që Shën Agostini e pa
tek besimtarët, sapo arriti në Milano: ”Ajo që e tundi zemrën e rektorit të
ri afrikan, dyshmitar e të dëshpëruar, e që e bëri të pendohej përfundimisht, nuk
qenë homelitë e bukura të Ambrozit, ndonëse i vlerësonte shumë. Qe dëshmia e ipeshkvit
dhe e Kishës së tij milaneze, që lutej e këndonte, e bashkuar si një trup i vetëm”. Papa
e përfundoi katekizmin me fjalët e një prej lutjeve të thella të Shën Ambrozit kushtuar
Krishtit: “Në se dëshiron të mjekosh një plagë, ai është mjeku; në se buza jote,
shkrumbuar nga ethet, kërkon një pikë ujë, ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë,
është ai forca; në se dëshiron qiellin, ai është udha”.“Të Shpresojmë edhe
ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do të jetojmë në paqe!”.