Si sot, më 6 dhjetor 1689 vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës personaliteti
i shquar i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare, ipeshkvi i jashtëzakonshëm imzot
Pjetër Bogdani. Ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani vlerësohet si teologu
më i njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Imzot
Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, pra si bari shpirtëror
por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për
çlirimin e popullit dhe vendit nga zgjedha osmane si dhe për zhvillimin e përparimin
e kulturës së shqiptarëve. Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare,
pra ungjillëzuese dhe atë atdhetare e politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti
si formues i ndërgjegjes së shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të
vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit
të Justin Rrotës “Çeta e profetëve", ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet
si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes
së rilindjes kombëtare. Vepra e imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” u botua
më 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, dhe u rishtypin më 1691
dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër teologjike e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit
cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet
e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Vepra 'Çeta e profetëve' është vepër me përmbajtje
teologjike. Imzot Pjetër Bogdani (lindi rreth 1625 në Has - vdiq më 6 dhjetor 1689
në Prishtinë) - prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog dhe filozof shqiptar nga Hasi
(Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë. Lindi në Gur të Hasit afër
Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac, Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës
i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik e atyre teologjike shugurohet
prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët
e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet
e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes.
Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin
doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës
dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos,
i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më 1675 e shkruan librin Çeta e profetëve
dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i
Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit. Në vitin 1677 emërtohet
kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake
fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Ndre Bogdani. Bogdani arratiset në male
me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Ndreu. Strehohet
në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në
Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim. Libri Cuneus Prophetarum botohet
në fund të vitit në Padovë te Barbarigo.
Imzot Pjetër Bogdani njofton rregullisht
Selinë e Shenjtë të Romës dhe botën mbi gjendjen njerëzore, pra shoqërore dhe ekonomike
si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë duke shkruar Relacionet nga Shkupi:
“Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia” ( Mbi gjendjen
shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688): Merret aktivisht
me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare
në vende të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor
kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron
edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet
në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Vdes më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë
ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së
ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij. Vepra
e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u botua më 1685
në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus
Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një
nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është
e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës
që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër. Karakteri
origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar
që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë
përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika
teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave
të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi
stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë
kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme
shqipe. Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës
e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve
kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër
Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta,
që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si
bari shpirtëror. Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për
popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i
kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin
osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën
amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit
nga pushtuesit e huaj. Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta
pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë
e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi
edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë
të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i
tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie
të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan
hapa të rëndësishëm përpara.