2011-12-05 17:14:54

Zgjedhje në Rusi: partia e Putinit fiton, por humb pikë


Në zgjedhjet e djeshme në Rusi, partia “Rusia e Bashkuar” e kryeministrit Putin fitoi sërish shumicën në parlament, por duket se ish-presidenti ka humbur pikë në sytë e bashkëqytetarëve, të cilët nuk e kanë votuar si më parë. Partia fitoi 49,5% të votave, duke marrë 238 nga 450 vendet në Dumën ruse. Në zgjedhjet e vitit 2007, kjo parti pati fituar dy të tretat. Ndërkaq, OSBE-ja denoncon se ka pasur manipulime e parregullsi në favor të partisë në pushtet. Të dëgjojmë opinionin e zv.drejtorit të revistës italiane “Familja e Krishterë”, Fulvio Skaljone, ekspert i politikës ruse:RealAudioMP3
Mendoj se rezultati është rrjedhojë e faktit se qeveria e kryeministrit Putin u ka propozuar rusëve, gjatë këtyre viteve, një “pakt” shumë të thjeshtë: më pak të drejta në këmbim të mirëqënies e të stabilitetit më të madh. Për disa vjet me radhe, pati rritje të nivelit të jetesës, por gjatë viteve të fundit, gjatë krizës, regjimi nuk mundi ta mbajë më premtimin, pasi ekonomia ruse është tepër e lidhur me eksportimin e gazit e të naftës. Prandaj, meqë Putin nuk e mbajti dot premtimin, zgjedhësit nuk votuan më për partinë presidenciale…
Fillimisht u fol për një rezultat edhe më të keq. Dukej sikur Putin e kishte humbur shumicën në parlament. Pastaj, numri i votave rritej, ndërsa shtoheshin edhe denoncimet për manipulime. Sipas jush, parregullsitë mund ta kenë përmbysur rezultatin?
Vështirë të thuhet. Por jam skeptik: besoj se ky votim është një sinjal i fuqishëm, që nga pikpamja praktike nuk do të ndryshojë gjë. Jam gati të vë bast se pas pak do të zbulojmë se në Dumën ruse, disa deputetë do të kalojnë me partinë e Putinit, ose do të kemi marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare, që nuk mund as të përfytyroheshin në prag të zgjedhjeve. Kjo është praktikë e zakonshme në politikën ruse. Nuk besoj se do të ndryshojë ndonjë gjë në thelb.
Në mars, do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Parashikohet një ndërrim vendesh ndërmjet Putinit, që do të bëhet president, dhe Medvjedjev, që do të bëhet sërish kryeministër. A ka mundësi të dalë ndonjë kandidat tjetër?
Jo, praktikisht, si kandidat i vetëm, Putin nuk ka rivalë. Tani po flitet për manipulime e ndërhyrje, por sigurisht, deri në mars, do të merren të gjitha masat e nevojshme, që të mos ketë as dyshimin më të vogël, jo vetëm që Putin të rizgjidhet president, por edhe që zgjedhja e tij të mbështetet nga i gjithë populli.
Përmes internetit, opozita ka bërë thirrje për protesta e po organizon një manifestim të madh. Si do të sillet policia sipas jush?
Vështirë të thuhet. Varet nga llogaritë, që po bëjnë në dhomat më të fshehta të Kremlinit. Me këtë rezultat zgjedhor, nuk besoj që regjimit t’i leverdisë të përdorë grushtin e hekurt, pasi do të pranonte se ndjehet i dobët, në krizë. Kremlinit i intereson të mos tregohet autoritar. Por vota e djeshme tregoi se një mendim i ndryshëm nga ai i pushtetit, është i mundur edhe në Rusinë e sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.