2011-12-05 17:14:33

Selia e Shenjtë për Sirinë: të respektohen aspiratat e ligjshme të shoqërisë, ndal dhunës


Siria iu përgjigj sot pozitivisht kërkesës së Lidhjes Arabe për kontrollin e veprimtarisë së forcave të sigurisë. Qeveria e Damaskut duhej t’i përgjigjej dje ultimatumit të Lidhjes për dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në një vend, ku që nga mesi i marsit, shtypja e protestave ka shkaktuar 4000 viktima, 22 vetëm dje. Bashkësia ndërkombëtare e ka denoncuar situatën, megjithëse Rusia dhe Kina vazhdojnë të jenë kundër një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Edhe Selia e Shenjtë, në sesionin e veçantë të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, që u zhvillua javën e kaluar, në Gjenevë, përmes vëzhguesit të saj, imzot Silvano Maria Tomazi, e ngriti zërin në favor të aspiratave të popullsisë dhe kërkoi fundin e dhunës. Ta dëgjojmë vetë imzot Tomazin në mikrofonin tonë:
Para së gjithash, Selia e Shenjtë shprehu shqetësim për viktimat e këtij konflikti. Dhuna nuk sjell asgjë të mirë, prandaj theksuam nevojën e pajtimit, por në respektin e të drejtave të njeriut për çdo njeri. E ardhmja e vendit nuk mund të ndërtohet me dhunë, por duhet dialoguar që të drejtat e ligjshme të individëve dhe të pakicave të respektohen, duke u dhënë mundësi këtyre bashkësive të marrin pjesë në administrimin e vendit. Gjithashtu, shprehëm ngushëllimet tona për familjet e viktimave, duke përsëritur ç’ka nënvizuar shpesh Ati i Shenjtë: lutja e përbashkët për paqen sjell të mira për të gjithë.
Në këtë situatë dramatike, ç’mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare?
Vendimi i marrë nga Këshilli i të drejtave të njeriut për të votuar një rezolutë, që ta impenjojë njëfarësoj bashkësinë ndërkombëtare të bëjë ç’është e mundur për respektimin e të drejtave të njeriut, është një sinjal vullneti politik për të ndihmuar në stabilizimin e gjendjes në Siri. Rezoluta u votua me shumicë votash, 37 pro e vetëm 4 kundër. Së dyti, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lëvizë vetëm me sanksione – siç ka bërë deri tani – por duhet të marrë parasysh kërkesat e të gjithëve, si të pakicave, ashtu edhe të pushtetarëve e, sidomos, të garantojë pas krizës pjesëmarrjen e drejtë të të gjitha forcave të vendit në rindërtimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.