2011-12-05 16:34:50

Selia e Shenjtë bëhet anëtare e Organizatës ndërkombëtare për emigracionin. Imzot Tomazi: Kisha në mbrojtje të emigrantëve.


Selia e Shenjtë u bë sot pjesëtare e Organizatës ndërkombëtare për emigracionin, si Shtet anëtar. Kërkesa nga pala vatikanase u miratua nga Shtetet e organizmit ndërkombëtar me seli në Gjenevë, gjatë sesionit plenar. Mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, na flet kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së së Gjenevës:RealAudioMP3

Përgjigje: - Në këtë çast, ndërsa vërejmë se në botë vijon të rritet numri i emigrantëve, i refugjatëve e i njerëzve në lëvizje, për arsye nga më të ndryshmet, ka shumë rëndësi të jesh i pranishëm e të marrësh pjesë në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, për të sjellë një kontribut të veçantë, tipik për Selinë e Shenjtë: një zë etik, që të mund t’i shpjegojë këto situata të reja. Kemi, për shembull, një mori njerëzish që vdesin, në sa përpiqen të ikin nga vendi i tyre, nga Afrika e Veriut, drejt Evropës; nga Afrika, përmes Detit të Kuq, drejt Jemenit… Ka shumë rëndësi, prandaj, që Selia e Shenjtë mori vendim të hyjë si anëtare me të drejta të plota në organizatë, pikërisht për të nënvizuar pjesëmarrjen e vet në këtë fenomen me rëndësi të dorës së parë. E kjo, sepse, pavarësisht nga kriza ekonomike e sipas parashikimeve, fenomeni do të vijojë të bëhet gjithnjë më numerik.

Pyetje: - Jemi mësuar ta shikojmë Selinë e Shenjtë si Vëzhguese pranë Organizatave ndërkombëtare, ndërsa tani, këtu, është Shtet-anëtar. Pse u zgjodh kjo rrugë?

Përgjigje: - Është një mënyrë praktike për të pasur më shumë zë në këto situata shoqërore, ndër të cilat nuk mbizotëron aq shumë politika, sa nevoja për të përballuar kërkesat njerëzore të këtyre personave, që janë në lëvizje drejt zonave të ndryshme të botës. Në nivelin e Kishës, kemi një rrjet të gjerë organizatash katolike, ndërsa Kisha vetë, është prej kohe në vijën e parë të frontit, në shërbim të emigrantëve. Ky tip bashkëpunimi me strukturat ekzistuese të bashkësisë ndërkombëtare, është një hap logjik e operativ përpara, që na krijon mundësitë për një shërbim më të suksesshëm.

Pyetje: - Tema e emigracionit e, sidomos, sfidat e vuajtjet e popullsive emigrante janë shumë të pranishme në papninë e Benediktit XVI: a mund ta shikojmë këtë anëtarësim, si etapë të re të kësaj papnie?

Përgjigje: - Natyrisht. Është fjala për të vijuar rrugën e hapur nga Ati i Shenjtë e nga përvoja, tashmë shekullore, e Kishës në këtë fushë, sepse organizatat katolike u shërbejnë prej kohe e me bujari të njohur, shumë e shumë njerëzve, pa marrë parasysh fenë, ngjyrën, gjendjen ligjore. Kisha shikon vetëm njeriun, dinjitetin e njeriut, që shpesh vihet në rrezik. E shikon në mënyrë të veçantë kur detyrohet të lëvizë nga një vend në tjetrin, gjë që i krijon shumë vështirësi, vuajtje, e shpesh edhe përjashtim nga radhët e shoqërisë. Kisha është gjithnjë pranë atyre, që kërkojnë punë, që kërkojnë një mënyrë të re jetese, që, me të drejtë, kërkojnë pakëz lumturi.

Pyetje: - Cilat janë shpresat tuaja lidhur me kontributin e veçantë, që mund të japë Selia e Shenjtë në Organizatën ndërkombëtare për emigracionin?
Përgjigje: - Mund të sjellim, së pari, shpjegimin etik të këtij fenomeni, që ndihmon për mbrojtjen e njeriut e të dinjitetit të tij. Së dyti, duam të bashkëpunojmë praktikisht, përmes organizatave katolike, që impenjohen prej kohe, në fushën e ndihmës së emigrantëve. E, së treti, duke dhënë një ndihmë sipas ndërgjegjes: në këtë mënyrë, duke respektuar bindjet tona e parimet tona, krijojmë vërtet një kontekst demokratik brenda shërbimeve shoqërore, që u ofrohen njerëzve nevojtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.