2011-12-05 17:17:20

Kardinalit Bertone i dorëzohet Çmimi “Gjon Pali II” për paqen”.


“Kush e ka paqen në shpirt, e përhap dhe e dëshmon kudo, duke jetuar në paqe me Zotin e me të afërmin e duke bërë vullnetin e Hyjit”. Kështu u shpreh kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij, duke marrë dje, në Rexhio Kalabria, çmimin “Gjon Pali II” për paqen, akorduar nga organizata Anassilaos. Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Hirësia e Tij kujtoi se, në enciklikën “Redemptor hominis”, Gjon Pali II pati theksuar se rruga kryesore për sigurimin e paqes ndërmjet popujve, është rruga e respektimit të të drejtave të njeriut. Ndërsa Papa Benedikti XVI, duke vënë theksin mbi vlerat universale, që i bashkojnë fetë, kulturat e sistemet e ndryshme të mendimit, cilëson si vlerë abosolute, të vërtetën, duke e shikuar si bazë të paqes.
Prandaj, shtoi kardinali Bertone, Papa i sotëm vijon t’u bëjë thirrje këmbëngulëse të krishterëve për ta vënë Jezusin në qendër të jetës, duke shembur çdo mur, që ndan e duke u përpjekur me të gjitha forcat për një impenjim real në mbrojtje të paqes. Me rastin e ceremonisë së dorëzimit të çmimit, kardinali Bertone u takua me klerin dioqezan dhe me besimtarët. Kremtoi edhe Meshën Shenjte në bazilikën-katedrale të qytetit kalabrez.







All the contents on this site are copyrighted ©.