2011-12-05 17:18:19

Dita Ndërkombëtare e Vullnetariatit, reflektimi i Rikardo Xhavarinit


U kremtua sot në të gjithë botën “Dita Ndërkombëtare e Vullnetariatit”, në përfundim të Vitit Evropian kushtuar impenjimit të vullnetarëve për njerëzit në nevojë. Në Romë, u mblodhën përfaqësues nga 40 mijë shoqata italiane, të grupuara në organizata si Forumi i Sektorit të Tretë dhe CSVnet, të cilat bënë thirrje të mendohet për krijimin e një kulture vullnetariati në botë. Para dy ditësh, po në kryeqytetin italian, iu dha çmimi FOCSIV 2011, vullnetarit Rikardo Xhavarini, i impenjuar në projektin “Mondo-Mlal” në qytetin La Paz të Bolivisë. 56-vjeçari bergamask jeton që prej 35 vjetësh në Amerikën Latine, ku ka themeluar edhe një Qendër për riedukimin e të miturve. Në mikrofonin tonë, tregon se pse e filloi këtë aventurë:RealAudioMP3
Familja, seminari dhe bashkësia e Nazaretit – një grup miqsh, që janë bashkësi e vërtetë dhe kujdesen me shpirt për njerëzit në vështirësi – më nxitën të nisesha. Ekziston pastaj një kuadër më i gjerë – si Koncili II i Vatikanit – që më motivoi të marr vendime radikale për impenjimin tim në botë, sidomos përsa u përket të varfërve. Impenjim, i cili nuk mund të jetë vetëm asistencializëm, por duhet të kthehet në politika, në gjeste, që veprojnë mbi strukturat.
Si keni punuar në Amerikën Latine dhe ku?
Kur mbërrita në Bolivi ishte koha e diktaturës. U përpoqëm t’u shpjegonim njerëzve kuptimin e të drejtave, të drejtësisë e të paqes si edhe të bënim gjeste konkrete solidariteti për ata, që vuanin pasojat e diktaturës. Në Peru, kemi punuar për të drejtat e fshatarëve që të kenë tokën e tyre, për të drejtat e tyre ekonomike e politike, për të drejtën e krijimit të organizatave. Që nga viti 2005, merrem me riedukimin e të rinjve, që kanë kryer krime e shpesh, burgosen së bashku me të rriturit. Ne jemi të pranishëm në burgje, punojmë së bashku me institucionet dhe, në Qendrën e Kalaumës, i caktojmë secilit një plan personal studimi e pune, për ta kthyer në rrugë të drejtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.