2011-12-03 17:42:46

Takim në Këshillin e Evropës mbi rëndësinë e përmasës fetare në historinë e popujve


“Përmasa fetare e dialogut ndërkulturor”: kjo ishte tema e debatit, që mblodhi javës së kaluar, për dy ditë, në Luksemburg, eksponentë të feve të ndryshme dhe ekspertë të shkëmbimeve kulturore e të mediave. Takimi u organizua nga Këshilli i Evropës në Abacinë Nojmynster të qytetit.RealAudioMP3
“Problemi i Evropës është ekstremizmi kaq i madh…”
Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland e hapi konferencën me këtë mesazh, në të cilin shihet qartë se edhe në nivelin e politikës, ekziston vetëdija për nevojën e shërimit të shoqërisë bashkohore, në krizë. Këtë ide e theksoi edhe drejtoresha e programeve të Këshillit të Evropës, Gabriela Bataini Dragoni:
“Ne e shohim fenë si element themelor të identitetit tonë kulturor. Kjo tregon sa i nevojshëm dhe i domosdoshëm është dialogu konstruktiv dhe i vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve publike - si ndërkombëtare, ashtu edhe kombëtare apo lokale – dhe përfaqësuesve të feve të ndryshme, por me praninë edhe të shoqërisë civile e sidomos të botës së mediave. Tema qendrore ishte pikërisht roli i mediave në paqtimin e shoqërisë, pasi veprimtaria e gabuar e mediave mund të çojë në krijimin e paragjykimeve”.
Është dashur kohë për të arritur në ndërgjegjësimin e institucioneve për rolin e fesë në shoqëri, por siç thekson vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, imzot Aldo Xhordano:
“Sot, kemi një vetëdije të re për këtë përmasë. Gjatë këtyre viteve, edhe institucionet ndërkombëtare e kanë kuptuar rolin e fesë për popujt e për kulturat. Nëse para disa vjetësh, kjo temë nuk prekej, tani ekziston bindja se nuk mund të flitet për historinë, kulturën dhe identitetin e një populli, pa përmendur fenë. Në veçanti, për Evropën, nuk mund të mos flasim për krishterimin, sepse asnjë faqe e 2 mijë vjetëve të fundit të historisë evropiane nuk mund të kuptohet pa fenë e krishterë. Krishterimi e ka në gen përmasën e takimit me tjetrin, të respektit për tjetrin e më tej, edhe të dashurisë për tjetrin. Ai ka në qendër një ngjarje: Pashkët, me të cilat Biri i Zotit jep jetën për njerëzimin e kjo dashuri e tij konfirmohet më pas me Ringjalljen. Sa më shumë të jemi të vetëdijshëm për këtë identitet, aq më tepër do të jemi në gjendje t’i hapim vend tjetrit, kulturës dhe fesë së tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.