2011-12-03 17:43:11

Shenjtorët e javës që vjen


Më 4 dhjetor, Kisha kremton të Dielën e 2-të të kohës së Ardhjes e po sot më 4 dhjetor nga kalendari kujtohen edhe shën Gjon Damasheni, meshtar e dijetar i Kishës e Shën Barbara, martire. Liturgjia e ditës na fton që jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por sidomos t’i vëmë në jetë.
Të hënën më 5 dhjetor bie përkujtimi i shën Sabës abat, që na fton të jetojmë me bindjen se kushti kryesor për ta përhapur praninë e Zotit në botë, është të besosh me gjithë zemër në Të.

Të martën më 6 dhjetor kalendari kishtar na propozon shembullin e shën Nikollës së Barit, ipeshkëv i Mirës. Shenjti mrekullibërës na kujton se kur jemi të lodhur e të këputur, si delet pa bari, duhet t’i lutemi Hyjit të na dërgojë prijës të drejtë, të cilët na çojnë drejt Zotit që po vjen.

Të mërkurën më 7 dhjetor , kalendari kujton festën e shën Ambrozit, ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës. Nga figura e tij mësojmë t’ia besojmë veten vetëm Zotit e ta vlerësojmë jetën ashtu siç është.

Të enjten e ardhshme më 8 dhjetor bie solemniteti i Zojës së Papërlyer, që na fton të bashkojmë zërin në korin e mbarë Kishës, që brohoret: “Kundruam, o Zot, mrekullitë e dashurisë sate”.

Të premten më 9 dhjetor do të kujtohen shën Huan Diego, shën Siri e shën Valeri , të cilët me jetën e tyre na kujtojnë se vërtetë i lum është vetëm ai që pret Zotin!

Të shtunën që vjen më 10 dhjetor bie festa e Zojës së Loretos, kujtimi i shën Maurit martir dhe shën Gregorit II, papë. Gjithçka ne admirojmë në Shën Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjtë Zot, që përmes pranimin e adezionit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjell fryte shëlbimi për mbarë gjininë njerëzore.

Të dielën e ardhshme më 11 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 3-të kohës së ardhjes e po më 11 dhjetor bie përkujtimi i shën Damazit I, papë. Liturgjia na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.