2011-12-03 17:42:20

Papa Akademive Papnore: studimi i martirëve të lashtë e përtërin sot vlerën e shembullit të tyre


Javës së kaluar, Akademitë Papnore u mblodhën në takimin e tyre të 16-të, për të reflektuar mbi temën: “Dëshmi dhe dëshmitarë. Martirët, kampionë të fesë”. Pjesëmarrësit diskutuan mbi rëndësinë e arkeologjisë për të zbuluar dëshmitë e fesë që në kohë të lashta. Në Mesazhin dërguar për këtë rast, kardinalit Gjanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, Papa Benedikti XVI nënvizon se të prekësh një gur të lashtë, ose të admirosh një mozaik të kohëve të largëta, mund ta bëjë të prekshme fenë. Pasi këto objekte arkeologjike – qofshin varre, apo afreske, apo objekte artizanati – kanë aftësinë t’i bëjnë të dukshme vendet, ku kanë ndodhur ngjarje si martirizimi i një të krishteri, ose episode nga jeta e një shenjti. Ati i Shenjtë vë në dukje se puna për të zbuluar historinë e krishterimit kërkon pasion e kompetencë, pasi gjurmët artistike e monumentale, që gjenden sidomos, në Tokën e Shenjtë dhe në Romë, tregojnë se Ungjilli u ka folur gjithnjë zemrave të njerëzve, konkretisht e pa kompromis. Në fund, Papa u jep çmimin e Akademive Papnore Kishtare “Studium Biblicum Franciscanum” të Jeruzalemit dhe arkeologes italiane Daria Mastrorili.








All the contents on this site are copyrighted ©.