Me 3 dhjetor kalendari kujton shën Françesk Saverin.
Shenjti rregulltar jezuit, Apostull i Indisë, Pajtor i Misioneve njihet edhe
si Pajtor i udhëtarëve dhe i turistëve, sepse gjatë jetës së tij përshkoi më se njëqind
mijë kilometra. Por kryesisht Shenjti është njëri nga jezuitët e parë në historinë
e urdhërit të mirënjohur, sepse përkrah me Injacin e Lojolës, themeloi më 1534 Shoqërinë
e Jezuitëve. Nga qyteti i Navarrës, ku kishte lindur më 1506, në moshë të pjekur
u nis për rrugë të largta. Predikoi Ungjillin e Krishtit në Indonezi e në Japoni.
Ëndrra e tij ishte ta vijonte këtë predikim edhe në Kinë, ku nuk mundi të arrinte:
vdiq fare pranë brigjeve të dëshiruara, në një ishull në afërsi të Kantonit, më 3
dhjetor 1552.Për jetën e Shenjtit janë shkruar dhjetra libra. Figura e tij është e
mirënjohur edhe në Shqipëri, sepse emri i shenjtit ka qenë i gjithpranishëm në jetën
e besimtarëve katolikë e të shumë shqiptarëve të besimeve të tjera. Mjafton të kujtojmë
se këtë emër mbante një nga shkollat më të famshme në Shqipërinë e para diktaturës:
Shkolla Saveriane në Shkodër (sot shkolla e mesme Atë Pjetër Meshkalla) nën drejtimin
e Jezuitëve. Libri më i fundit kushtuar jetës së shenjtit në gjuhën shqipe është ai
me titullin: "Shën Françesk Saveri" shkruar nga kryeipeshkvi i ndjerë i Shkodrës,
Imzot Frano Illia.