2011-12-03 17:42:04

Letra e Papës për kardinalin Renato Rafaele Martino, i dërguar i veçantë në Mianmar


Në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetorin e ardhshëm, kardinali Renato Rafaele Martino, president nderi i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, do të shkojë në Mianmar, si i dërguar i veçantë i Benediktit XVI, me rastin e 100-vjetorit të katedrales së Jangonit. Në letrën në latinisht, që i drejton prelatit, Papa nënvizon nevojën për të treguar me forca të reja, dashurinë e veçantë për Ungjillin dhe për Kishën e Krishtit.
Ati i Shenjtë kujton se katedralja i është kushtuar Zojës – Nëna e Zotit, gjatë papnisë së Piut X, motoja e të cilit, “Rikrijoni të gjitha gjërat në Krishtin”, është sot nxitje për rinovimin e fesë. Prandaj, vazhdon Ati i Shenjtë, 100-vjetori i katedrales do të jetë rasti për ta nxitur bashkësinë e krishterë të Mianmarit ta imitojë gjithnjë e më mirë Krishtin në jetën e vet. Papa i kërkon kardinalit Martino të përshëndesë jo vetëm Kishën Katolike të vendit, por edhe autoritetet e tjera civile e fetare, ndër të cilët, budistët.







All the contents on this site are copyrighted ©.