2011-12-02 18:10:50

Më 2 dhjetor përkujtohet Shenjtja me emrin “Plotjeta”, Bibiana


Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Bibianën, patrice romake, virgjër e martire, Shën Pimenin, martir dhe shën Silverin, papë.
Po ndalemi më hollësisht tek figura e Shën Bibianës.
Emri Bibianë rrjedh nga Vivianë, në latinisht ‘vitale’, do të thotë që ka jetë, gjallëri. Kështu emri i saj u bë sinonim i gjallërisë, shkathtësisë, i njeriut plot jetë.
E lindur në Romë në vitin 352 Bibiana, sipas rrëfimit mbi martirizimin e saj, shkruar në shekullin VII, është ndërmjet viktimave të persekutimit të të krishterëve në kohën e Julit, njohur me epitetin Apostati, apo Sakrilegji.
Pasi e torturuan, për ta bërë të mohonte Krishtin, Virgjërës Martire ia prenë kokën. E sot kjo kokë ruhet në kapelën e të Kryqëzuarit, në bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe ekspozohet për besimtarët në ditët e Krezhmëve si dhe më 2 dhjetor, në festën e saj liturgjike.
Martirizimi i shenjtes ka frymëzuar shumë artistë, që kanë realizuar një numër të madh ikonash kushtuar Virgjërës Martire, e jo më pak devocionit popullor për Shenjten.
Njihet si pajtore e njerëzve që kanë dhimbje koke, ngerrçe, epilepsi apo sëmundjen "e tokës", janë të alkoolizuar apo viktima të aksidenteve. Festa e Shën Bibianës në traditën popullore ka edhe vlerë meteorologjike. Thuhet se në ditën e festës së saj mund të bëhen parashikime se si do të jetë dimri në vijim.








All the contents on this site are copyrighted ©.