2011-12-01 13:03:17

Çelësi i fjalëve të Kishës: Martesa!


Të dashur dëgjues, dje folëm për një shkrim të Papës mbi martesën, në kohën kur Jozef Racinger ishte kardinal. Shkrimi, i vitit 1998, botohej në faqet e gazetës vatikanase ”L’Osservatore Romano” dhe sqaronte qëndrimin e Papës aktual për pazgjidhshmërinë e martesës sakramentore. Për ta sqaruar më tej këndvështrimin e Kishës Katolike, sot do të flasim pikërisht për ”martesën”.
”Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit, i krijoi mashkull e femër” (Zan 1,27): kështu thotë Bibla, që në rreshtat e parë të saj, në Librin e Zanafillës. Përngjasimi i njeriut me Hyjin pasqyrohet në bipolaritetin seksual. Çifti vazhdon krijimin përmes lindjes së fëmijëve, pra, bashkëpunon me Krijuesin në historinë e shëlbimit. Martesa, si e tillë, përvijohet në kreun e dytë të Librit të Zanafillës, në tekstin e përmendur më vonë edhe nga vetë Jezusi, kur flet për dashurinë martesore: njeriu ndjehet jo i plotë, pa ndihmën, që sipas termit hebraik ”kenegdô”, ”duhet t’i qëndrojë përballë”, ”t’i korrespondojë” në një dialog të barabartë. Ja atëherë, krijimi i gruas, e cila është si burri, sepse del nga brinja e tij, nga i njëjti mish, siç paraqitet simbolikisht në këngën e dashurisë (2,23), që thotë: ”Kjo tash është asht i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim!”.
Jo më kot, emrat me të cilat përcaktohet burri e gruaja në hebraisht kanë të njëjtën origjinë: ”ish” përdoret për mashkullin dhe ”isshah” për femrën. E më pas, Bibla vazhdon: ”Për këtë arsye njeriu do ta lerë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm” (2,24). Këtu, jemi përpara martesës dhe shpirtit të saj më të thellë si bashkim i jetës dhe i dashurisë. Natyrisht, legjislacioni biblik i mëvonshëm do të regjistrojë edhe dështime të këtij modeli, do të parashikojë norma për pajën (mohar), për divorcin (Lp 24,1-4), për tradhëtinë bashkëshortore e kështu me radhë. Në traditën hebraike, martesa përmbante dy faza: fejesën, gjatë së cilës përcaktohej edhe paja e pakti martesor (shih Mt 1,18) e më pas, dasma, pas së cilës, çifti konsiderohej i martuar dhe bashkëjetonte në të njëjtën banesë. Pavarësisht nga rregullat e normat, që e rrethonin, martesa konsiderohej, edhe atëherë, bashkim sipas planit ideal hyjnor, të përshkruar në Librin e Zanafillës, që përmendëm.
E në Këngën e Këngëve ekzaltohet edhe dashuria e bukuria e saj, e lidhur me pasionin, me erosin, me ndjenjat, por edhe me dhurimin e ndërsjelltë të burrit e të gruas: ”I dashuri im… më përket mua dhe unë vetëm atij” thotë vajza për të fejuarin e vet e, më tej, ”I përkas të dashurit tim, i dashuri im vetëm mua” (2,16; 6,3). Simbolika e dashurisë martesore përdoret edhe në profeci, për të kremtuar besëlidhjen ndërmjet Zotit dhe popullit të vet: ”Kështu thotë Zoti: me mall të kujtoj, e kujtoj afshin e rinisë sate, dashurinë e fejesës sate, kur më ndoqe në shkretëtirë…” (Jer 2,2; shih edhe Oz 2).
Këtij modeli të lartë i referohet Krishti, në ato pjesë të Ungjillit, ku flet për martesën, të cilën Jezusi e sheh si dhurim tërësor, absolut e të përjetshëm, ashtu siç përshkruhej nga Libri i Zanafillës. Në këtë dritë, Ai e përjashton krejtësisht divorcin ose kthimin mbrapsht të gruas. Vërtet në Ungjillin sipas Mateut thuhet: ”E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet – përveçse në rastin e fëlligështisë – e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën” (Mt 5,32; 19,9). Përjashtimi, që përmendet nga shën Mateu ungjilltar, ka shumë mundësi të jetë e lidhur me praktikën e krishterë në Kishën e kohës së Shën Mateut e për disa, ka të bëjë me konkubinatin (pra, me bashkëjtesën pa martesë), ose me forma martesore të ndaluara nga tradita hebraike, siç ishin martesat ndërmjet njerëzve me të njëjtin gjak. Pavarësisht nga ky përjashtim, mesazhi i Jezusit për pazgjidhshmërinë e martesës së krishterë është krejt i qartë.
Në këtë perspektivë, vetë martesa bëhet shenjë e dukshme e dashurisë së Zotit, që dhuron vetveten. Shën Pali Apostull, duke përshkruar mëse një herë marrëdhëniet burrë-grua (shpesh, në reflektime për të drejtën e kulturën e kohës), nuk hezitoi ta shndërronte martesën në një simbol të madh kristologjik dhe kishtar. Kështu, në Letrën për Efezinët (5,25-33), ai bën paralelizëm ndërmjet dashurisë së dhuruar brenda çiftit bashkëshortor dhe asaj ndërmjet Krishtit e Kishës. Ja përse Kisha quhet ”nusja e Krishtit”. Shën Pali vëren se misteri i martesës është kaq i madh, pikërisht sepse është i lidhur e u referohet marrëdhënieve ndërmjet Krishtit e Kishës. Prej këndej rrjedh natyra sakramentore e martesës, e cila përmbahet në faqen paoline. Mbi bazën e këtyre argumenteve, Kisha Katolike, edhe sot e kësaj dite, mbron pazgjidhshmërinë e Sakramentit të Martesës, kremtuar me liri të plotë para meshtarit, nga burri e nga gruaja.







All the contents on this site are copyrighted ©.