Mbërriti sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Pema e Krishtlindjes. Këtë vit,
u dhurua nga Ukraina. Është një bredh 60-vjeçar, i lartë mëse 30 metra, me peshë 5
ton, ardhur nga pyjet e provincës perëndimore të Transkarpateve. Bredhi do të ngrihet
më 5 dhjetor pranë Betlehemit tradicional në sheshin para Bazilikës, por dritat e
tij do të ndizen në pasditen e 16 dhjetorit, kur do të përurohet nga kryeipeshkvi
Xhuzepe Bertelo, kreu i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, në praninë e
ipeshkvijve katolikë të Ukrainës, të ritit latin e bizantin dhe, të përfaqësuesve
të Kishës ortodokse ukrainase. Këtë vit, pra, ky takim merr karakter ekumenik. “Është
një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme – deklaron kryeipeshkvi i Kievit dhe i Galicisë,
Sviatoslav Shevçuk, kryetari i Kishës greko-katolike të Ukrainës. – Për vendin, kjo
është një dëshmi tjetër e rrënjëve të tij evropiane dhe e përkatësisë në familjen
e kombeve të Evropës”. Kujtojmë se çdo vit, druri i pemës, që ngrihet në Sheshin
e Shën Pjetrit, merr vlerë shoqërore. Vërtet, zakonisht, i dhurohet ndonjë shoqate,
apo bashkësie, që e përdor për qëllime bamirësie.