2011-12-01 16:34:32

Luksemburg: përfundoi takimi i Këshillit të Evropës për fetë, dialogun dhe kulturat


Përfundoi në Luksemburg, konferenca mbi përmasën fetare të dialogut ndërkulturor, organizuar nga Këshilli i Evropës. Për dy ditë me radhë, eksponentë të feve të ndryshme shkëmbyen mendime dhe diskutuan me ekspertë evropianë të kulturës e të mediave. Ia drejtuam mikrofonin delegatit të Këshillit Papnor për Kulturën, atë Laurent Mazas, të cilin e pyetëm sa është e vetëdijshme politika për rëndësinë e feve në dialogun ndërmjet kulturave. Ta dëgjojmë:
Po, ky është një proces i gjatë. Më kujtohet kur fillova të shkoj për Selinë e Shenjtë, në Këshillin e Evropës, në Komitetin e Drejtorisë së Kulturës, ku flitej për urgjencën e dialogut ndërkulturor e ndërfetar, për paqen në rrezik e kështu me radhë. Më pas, punuam për t’u bërë atyre të kuptojnë se njerëzit e fesë mund të dialogojnë ndërmjet tyre në shoqëri, për ta ndihmuar atë të jetë më e drejtë, në paqe e në vëllazërim. Një proces i gjatë pra, e tani, kjo lloj tryeze e rrumbullakët tregon se është krijuar vetëdija se feja nuk është diçka e ndarë nga shoqëria, por ndihmon në ndërgjegjësimin për drejtësinë, për të drejtat e njeriut e kështu me radhë.
Këto kohë, dikasteri për kulturën dhe kreu i tij, kardinali Xhanfranko Ravazi, impenjohen në “Oborrin e jo besimtarëve”. Ç’kontribut mund të japë kjo nismë në dialogun ndërkulturor?
Në “Oborrin e jo besimtarëve” - në kundërshtim me atë që ndodh në vende laike, si për shembull, Franca, ku nuk shprehen publikisht bindjet vetjake - ne duam që ateisti të diskutojë si ateist e besimtari si besimtar i vërtetë. Kështu, ballafaqimi ndërmjet të dyve do të konceptohet si takim, si mënyrë për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit e për të përballuar së bashku sfidat e mëdha të botës së sotme. Tani, njerëzit janë të vetëdijshëm se nuk ka paqe të vërtetë po të mos takohen me tjetrin, po të mos e zbulojnë pasurinë e brendshme të tij, sado e ndryshme të jetë nga e tyrja.
Një parrullë e Këshillit të Evropës thotë “Të jetojmë së bashku, duke respektuar ndryshimet”. Nga pikpamja e Kishës Katolike, si mund të propozohet kjo parrullë?
Në zanafillë ishin Adami dhe Eva: pra, që në fillim, ndryshimet ekzistonin. Pastaj, vjen dashuria, e aftë t’i bashkojë njerëzit, pavarësisht nga ndryshimet. Katolicizmi sjell dashurinë, por sidomos, çështjen e respektit. Për shembull, në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Evropës u fol për mediat e për lirinë e shprehjes. Pa respektin për tjetrin, ku shkojmë? Mendohet se kjo nuk është vlerë absolute, por s’është kështu, pasi tek tjetri ka diçka që është më e lartë se ne, ka një përmasë transhendetale. Këtu u tha se duhet të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë e gazetarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.