2011-12-01 16:34:10

Benedikti XVI: familja, udhë e Kishës, të rikthehet protagoniste në radhët e saj


Familja është udhë e Kishës: kështu pohoi sot paradite, Papa Benedikti XVI, duke pritur në Vatikan, pjesëmarrësit e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Papnor për Familjen, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të dikasterit e të Nxitjes Apostolike “Familiaris Consortio” të të Lumit Karol Vojtila. Ati i Shenjtë nënvizoi se është urgjente që familjet e krishtera të bëhen sërish protagoniste në jetën e Kishës.
Familja është “udha e Kishës”, shpjegoi Papa, sepse është hapësira njerëzore e takimit me Krishtin. Kjo figurë e bukur ishte qendra e fjalimit të apasionuar të Benediktit XVI për pasurinë e dëshmisë së bashkëshortëve të krishterë. Protagonizmi i tyre duhet të duket qartë, sidomos në fushën e edukimit të fëmijëve dhe në atë të përgatitjes së të fejuarve për jetën martesore. E më tej, fushat e tjera:
“Formimi i bashkëshortëve, sidomos i çifteve të reja; përvoja e formimit të shoqatave me qëllime bamirëse, edukative e impenjimi civil; baritoria e familjeve për familjet, në të gjithë harkun e jetës, duke vlerësuar kohën e punës e atë të festës”.
Benedikti XVI vuri theksin në rolin e familjes si “Kishë shtëpiake”, nga e cila varet, në pjesën më të madhe, ungjillëzimi i ri:
“Në kohën tonë, ashtu si në epokat e kaluara, errësimi i Zotit, përhapja e ideologjive kundër familjes dhe degradimi i etikës seksuale duken të lidhura ndërmjet tyre. E ashtu siç janë të lidhura errësimi i Zotit dhe kriza e familjes, ashtu edhe ungjillëzimi i ri nuk mund të ndahet nga familja e krishterë”.
Bashkëshortët e krishterë, vazhdoi Papa, janë të thirrur të ungjillëzojnë si me dëshminë e jetës, ashtu edhe me pjesëmarrjen në veprimtaritë baritore. Familja është pasuri për bashkëshortët, e pazëvendësueshme për fëmijët, themel i domosdoshëm i shoqërisë, bashkësi jetësore për udhën e Kishës:
“Familja e bazuar në Sakramentin e Martesës është zbatim i veçantë i Kishës, bashkësi e shpëtuar që shpëton, bashkësi e ungjillëzuar që ungjillëzon. Si Kisha, ajo është e thirrur ta pranojë, ta rrezatojë dhe ta tregojë në botë, dashurinë e praninë e Krishtit”.
Përçimi i dashurisë hyjnore, tha më pas Benedikti XVI, realizohet përmes përkushtimit të bashkëshortëve për njëri-tjetrin, përmes lindjes së fëmijëve e kujdesit të çiftit në edukimin e tyre. Realizohet gjithashtu, në punë, në marrëdhëniet shoqërore, në vëmendjen ndaj nevojtarëve, në pjesëmarrjen në veprimtaritë kishtare e në impenjimin qytetar:
“Familja e krishterë e pasqyron në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë hyjnore, në masën me të cilën, përmes udhës së kthimit të vazhdueshëm të zemrave kah Zoti, mbështetur nga Hiri Hyjnor, arrin ta jetojë dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë e ndërsjelltë e hapje e zemrës ndaj të gjithëve”.
Papa përfundoi, duke përmendur Takimin VII botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano të Italisë, vitin e ardhshëm. Ati i Shenjtë shprehu gëzimin e tij për pjesëmarrjen në këtë takim me familjet e krejt globit dhe falenderoi Kishën ambroziane për impenjimin dhe mikpritjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.