2011-11-30 17:40:46

Kur ishte kardinal, Papa u shpreh kundër zgjidhjes së martesave të vlefshme


Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” boton një artikull të gjatë mbi qëndrimin e Kishës Katolike për martesën dhe pazgjidhshmërinë e saj, pas diskutimeve, që ngrenë dyshime mbi këtë doktrinë, madje, edhe ndërmjet teologëve. Natyrisht, praktika e Kishave Lindore të krishtera, ku bashkëshortët mund të divorcohen e të rimartohen, duke vazhduar të marrin Kungimin e Shenjtë, ndikon në krijimin e konfuzionit, që gazeta vatikanase e sqaron me anë të një shkrimi pak të njohur të Papës Benedikti XVI, në kohën kur ishte kardinal.
Në këtë shkrim të vitit 1998, Ati i Shenjtë thekson: “Nëse Kisha do të pranonte teorinë se një martesë shuhet, kur dy bashkëshortët nuk duhen më, do të miratonte divorcin e do të mbronte pazgjidhshmërinë e martesës vetëm me fjalë e jo më, me fakte”. Kardinali Racinger i atëhershëm shpjegon se praktika e Kishave Lindore të krishtera nuk e ndjek me rigorozitet Ungjillin, por është një interpretim më libreal i tij. Disa analistë mendojnë se në atë kohë, Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë do të kishte dashur ta ndryshonte së paku rregullin, sipas të cilit, bashkëshortët e ndarë, të rimartuar sërish, nuk mund të marrin Kungimin e Shenjtë, por në vitin 2005, duke u folur meshtarëve të dioqezës së Aostës, Papa pranoi se zgjidhja e menduar prej tij duhej thelluar më tej, prandaj nuk mund të ndiqej. Kjo zgjidhje parashikonte që, në raste të veçanta, të arrihej në anullimin baritor të martesës e jo në atë gjyqësor, bazuar në faktin se bashkëshortët, pavarësisht se ishin të pagëzuar, nuk e kishin fenë e fortë, por siç e thamë, Benedikti XVI e përjashtoi këtë mundësi që në vitin 2005.
Më tej, kardinali Racinger pohon edhe se “opinioni, sipas të cilit Papa mund të zgjidhë martesën sakramentore të konsumuar e të dështuar në mënyrë të pariparueshme, duhet të konsiderohet i gabuar… Një martesë e tillë nuk mund të zgjidhet nga askush. Bashkëshortët, në kremtimin e martesës, i premtojnë njëri-tjetrit besnikëri deri në vdekje”. Në arsyetimin e tij, kardinali pranon se shumë nuk janë dakord me këtë rigorozitet, duke pasur parasysh gjendjen dramatike, ku mund të bjerë jeta bashkëshortore. Por mësimet e Kishës, vazhdon ai, nuk mund të ndryshohen për motive baritore, pasi ato përçojnë të vërtetën e zbuluar. Është e vështirë t’i shpjegosh njeriut të sotëm kërkesat e Ungjillit, nënvizon Papa, por kjo nuk mund të çojë drejt kompromisit me të vërtetën.
Përsa u përket besimtarëve të divorcuar e të rimartuar, vazhdon akoma kardinali Racinger, dokumentet e fundit të Kishës bashkojnë në mënyrë të ekuilibruar, kërkesat e së vërtetës me ato të bamirësisë. Sigurisht që e vërteta nuk pranohet lehtë, por është rruga drejt shërimit, drejt paqes e lirisë së brendshme, përfundon Papa aktual.








All the contents on this site are copyrighted ©.