2011-11-29 17:52:29

Tomas Merton:
"Koha e Ardhjes"


Mrekullojini, o qiej, me blunë tuaj këto net dimri,
e jini plot kthjelltësi!

Më shpejt fluturoni në terrin e zjarrtë, ju meteorë të heshtur;
tretini shkëndijat në hapësirë.
Ti hënë mos ec kaq shpejt kah perëndimi,
se t’erdhi koha.

Katër shtigjet e bardha shkojnë heshtas
drejt katër anëve të gjithësisë së qëndisur me yje.
Flokë kohe bien si manë në skajet e tokës dimërore.
Ne jemi më të përvujtë se shkambijtë,
më të shtruar se shkrepat.

Mahnitini me pastrinë tuaj këto net të Pritjes së Madhe,
o sfera të shenjta,
pezull mbi rrymën e vrullshme të ujit nën dhe.

Një copë jete ndalet në kujtesë,
rri e pushon një ças te kashta e artë;
mendjet janë më të qeta se grigjat
në kullosë, e shuhet gjëma e motit.

Oh! Flokojeni, qiell, terrin tuaj e dritën tuaj
e cirkat prej qielli të bien
e të thyhen mbi pullaze.
e ti, shtegto, si Virgjëra e fisme
kah perëndimi madhështor i planetëve,
o hëna e bardhë e plotë, e heshtur si Betlehemi.

Marrë nga ‘Natale in poesia’, Antologia dal IV al XX secolo, Novara, 2006. fq 140







All the contents on this site are copyrighted ©.