2011-11-29 16:18:19

Mbledhja plenare e Këshillit Papnor për Familjen. Intervistë me kardinalin Antonelli.


Familja, në plan të parë, që dje paradite, në Romë, ku u hap mbledhja plenare e Këshillit Papnor për Familjen, që do të vijojë deri më 1 dhjetorin e ardhshëm, kur pjesëmarrësit do të priten nga Benedikti XVI. Ngjarje e veçantë kjo, po të kemi parasysh se përkon me 30-vjetorin e Nxitjes Apostolike të Gjon Palit II , ‘Familiaris Consortio’ dhe të themelimit të vetë dikasterit. Do të flitet edhe mbi Takimin VII Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano, nga 30 maji, deri më 3 qershorin e vitit 2012.
Me ftesën e njohur “Familje, bëju ajo që je!”, “Familiaris Consortio” mbetet një manifest i vërtetë për rolin e familjes në Kishë e në shoqërinë bashkëkohore. Mbi këto tema si dhe mbi origjinalitetin e këtij dokumenti, të dëgjojmë kardinalin Ennio Antonelli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Origjinaliteti takohet në shumë aspekte, si në planin doktrinor, ashtu edhe në atë baritor, përmes shumë elementeve. Në planin doktrinor, përmes pohimit se familja e realizuar plotësisht, e aq më tepër, familja e krishterë, është pasqyrë e vetë Hyjit, e Trinisë Shenjte, sepse bashkim i përkryer i disa njerëzve, që marrin pjesë në jetën e Zotit. Atëherë mund të themi se vokacioni i familjes së krishterë është ta jetojë dashurinë si dhuratë, dashurinë si bashkim, duke u bërë, kështu, figurë e Zotit mbi tokë, zbulesë e Zotit mbi tokë. Duhet thënë se ky është vokacioni i të gjitha familjeve, që më pas përkryhet nga Sakramenti i martesës, sakrament i besëlidhjes së re me Zotin.

Pyetje: - Ju, me të drejtë, keni parasysh përmasën njerëzore të familjes, duke nënvizuar edhe se mund të bëhet shprehje e realizimit të plotë të një burri e një gruaje. Por sot modeli i këtij tipi të familjes perceptohet si ide e Kishës, gati-gati si të ishte model fetar…

Përgjigje: - Të gjithë e dinë, në një farë mënyre, se të jesh i vetmuar, nuk është gjë e mirë, apo jo? Por në se vetmia është e keqe e burim i të këqijave, kjo nuk duhet të na shtyjë të harrojmë cila është natyra e vërtetë e familjes e ta barazojmë me forma të tjera të miqësisë, ose të bashkëjetesës. Familja, që propozon Kisha, është bashkim i qëndrueshëm i një burri me një grua, dy vetë që janë të gatshëm për të krijuar jetë të reja, për të lindur fëmijë. Ky tip familjeje nuk i përket vetëm kristianizmit, por edhe kulturave të tjera.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për ‘Familiaris Consortio’, 30 vjet pas botimit, e po aq edhe pas themelimit të dikasterit, që drejtoni? Ju, që keni dëgjuar shumë çifte, a jeni i bindur se familja, e cila premton të jetë e bashkuar gjatë gjithë jetës, të cilën e propozon edhe Kisha, vijon të jetë model i praktikueshëm edhe në kushtet e botës së sotme? Apo vështirë të praktikohet?

Përgjigje: - Jo, veç duhet nxitur posaçërisht familja shembullore, sepse duke parë bërthama familjesh shembullore në çdo famulli, në lëvizjet, në shoqatat, njerëzit shikojnë me sytë e tyre se martesa e propozuar nga Kisha, martesa e krishterë, është e bukur, është burim gëzimi, pavarësisht nga flijimet, sepse asgjë nuk mund të arrihet pa flijime E është në vetvete lumturi e madhe. Është e bukur, e mundshme, e realizueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.