2011-11-29 16:18:44

Dhimbja e Papës për vrasjen e një murgeshe kroate e të një vullnetari italian në Burundi


Benedikti XVI shpreh ngushëllimet dhe dhimbjen e tij për vrasjen e motrës kroate Lukrecija Mamic dhe të vullnetarit italian, Françesko Bacani, në Burundi. Vrasja është kryer të dielën gjatë vjedhjes në misionin e Kirembas, ku shërbenin të dy veprimtarët e Kishës Katolike.
Në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Papa i kërkon Zotit t’i pranojë në mbretërinë e vet këta njerëz, që ia kushtuan jetën të sëmurëve dhe të varfërve. Gjithashtu, lutet, që Hyji i Gjithpushtetshëm t’i japë zemër e guxim, murgeshës, që mbeti e plagosur gjatë sulmit me armë kundër misionit. Edhe ajo është italiane e quhet motër Karla Luçia Brienca. Ati i Shenjtë u jep bekimin e tij apostolik të gjitha motrave të Kongregatës së Engjëlloreve të Bamirësisë, të cilave u është besuar misioni i Kirembës, si edhe familjarëve të vullnetarit e atyre që, në Burundi, janë përfshirë në një farë mënyre, në këto vrasje brutale.







All the contents on this site are copyrighted ©.