2011-11-29 16:19:08

Atë Dal’Olio, protagonist i dialogut islamo-kristian në manastirin e Deir Mar Musa: Siria ka ndërmend të më largojë, unë punoj për paqem


Nuk është me pasaportë siriane, por ndihet i tillë prej kohësh, jezuiti italian 57 vjeçar, atë Paolo Dal’Olio, i cili e ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës në shkretëtirën në veri të Damaskut. Mbi të rëndon një dekret përjashtimi nga vendi, pasi autoritetet lokale e konsiderojnë fajtor për shkak të impenjimit disamujor në frontin e ndërmjetësimit për paqen në një vend, ku protestat kundër regjimit të Bashar Al Asadit kanë shkaktuar deri tani mëse 3.500 viktima. Që dje, Lidhja Arabe filloi zbatimin e sanksioneve kundër Sirisë, pasi Damasku, faktikisht, nuk e pranoi planin e saj, që parashikonte edhe dërgimin e një misioni vëzhguesish arabë në vend.
Vetë atë Dal’Olios i vjen keq që lajmi i përjashtimit të tij nga vendi ka marrë dhenë, pasi kjo e ngushton mundësinë e marrëveshjes me autoritetet, siç thotë nga kuvendi i Shën Musait, abisin (Mar Musa al Habashi), ku prej vitesh vepron bashkësia e ritit sirian, themeluar prej tij:
Lajmi nuk ka dalë prej meje, por, në thelb, është i saktë: shteti sirian e mori këtë vendim, pasi e la pezull lejen time të qëndrimit që nga marsi i kaluar e tani, i jep fund çështjes në këtë mënyrë, aspak të bukur. Megjithatë, duhet të them se shteti sirian i ka kërkuar ipeshkvit të veprojë, që ky të mos jetë thjesht fakt i lidhur me policinë. Tani për tani, ipeshkvi nuk ndodhet këtu, po kur të kthehet do të merret me çështjen. Unë i propozoj ipeshkvit – e ia kam propozuar edhe shtetit sirian, në figurën e autoritetit të tij më të lartë – të pranojë një kohë meditimi nga ana ime, pra një impenjim më të madh shpirtëror e më të vogël në krahun kulturor e politik, në këmbim – si të thuash – të qëndrimit në Siri. Kjo, sepse kam detyrime fetare, mungare e më duhet të jem i pranishëm për vendasit e, kjo është detyra e parë, më e rëndësishme. Prandaj, shpresoj që kjo kërkesë e imja të pranohet – ndoshta po lëvizin në këtë drejtim edhe shumë miq – që unë të mos jem i detyruar të largohem nga ky vend, të cilin e konsideroj vendin e apostullimit, atdheun e zgjedhur, vendin e impenjimit tim.
Meqë përmendët impenjimin… cila është puna juaj në Siri, si nga pikpamja fetare, ashtu edhe nga ajo politike?
Jam këtu që prej 30 vjetësh, kam punuar për dialogun islamo-kristian, jam munduar të krijoj një bashkësi mungare, e cila i kushtohet shërbimit për harmoninë ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, përparësi kjo, botërore. Jemi rreth 20 vetë – vëllezër e motra – nga vende të ndryshme: të gjithë studiojnë arabishten, krishterimin lindor, fenë myslimane dhe i përkushtohen mikpritjes. Gjatë kësaj krize të fundit, shumë të dhimbshme, jemi impenjuar për lirinë e fjalës, për lirinë e ndërgjegjes, për lirinë e opinionit e, që prej shumë vitesh, përpiqemi të veprojmë e të bashkëpunojmë për arritjen graduale të demokracisë, për përballimin e emergjencave të shoqërisë civile, për atë dialog, që garanton bashkimin kombëtar, për mbrojtjen e ndryshimeve e vlerësimin e veçorive të bashkësive etnike e fetare, pa primatin e njërit grup mbi tjetrin, në një dinamikë krijuese e ndërtuese, në një dinamikë konsensusi kombëtar. Kjo kërkon mjete. Unë kam shkruar një artikull për demokracinë konsensuale, që ka pasur një farë jehone kombëtare dhe ndërkombëtare. Tani, kemi edhe thirrjen tonë për Krishtlindje, në gjuhë të ndryshme, në të cilën kërkojmë pajtim. Mund ta shihni edhe në internet… Ne besojmë, do të besojmë deri në fund e përtej fundit në pajtimin, në dialogun, në bisedimet, për t’u shmangur vuajtjet njerëzve e për të ndërtuar një të ardhme të lirë nga urrejtja e hakmarrja.
Cila është gjendja në vend, në këtë çast?
Gjendje dialogu i pamjaftueshëm. Ky ngurtësim në qëndrime na çon drejt tragjedisë. Sido që të shkojë, kushdo të fitojë, do të kemi tragjedi. Nuk duam të fitojë askush: duam të fitojë harmonia.







All the contents on this site are copyrighted ©.