2011-11-28 16:08:15

Papa të rinjve: mësohuni ta respektoni ambientin për të siguruar një ardhmëri më të mirë.


Respekti për njeriun dhe respekti për natyrën janë një gjë e vetme”. Dëmet e shkaktuara nga mungesa e këtij respekti dëshmojnë se duhet ecur urgjent në një rrugë tjetër, që edhe breznitë e ardhshme të gëzojnë një Planet, në të cilin mund të jetohet. E pikërisht një turme të rinjsh, tejet të ndjeshme ndaj këtij problemi, iu drejtua sot paradite Papa, duke pritur në audiencë, në Sallën e Palit VI, pjesëmarrësit në takimin, organizuar nga “Fondacioni Motra Natyrë”.
“Më italiani ndër shenjtorë, e më shenjti ndër italianë” – siç e quajti Piu XII Shën Françeskun e Asizit – i kërkonte sivëllaut të ngarkuar për të punuar kopshtin e kuvendit, të mos e përdorte gjithë tokën për barishte, por të linte edhe një copëz për të mbjellur lule, në mënyrë që kush të kalonte andej pari, të ndalohej, të mahnitej nga bukuria e të mendonte për Atë, që e krijoi, për Zotin. Anekdotën ua tregoi Benedikti XVI mijëra djemëve e vajzave që, duke hyrë në “Fondacionin Motra Natyrë” me frymëzim të qartë françeskan, janë radhitur ndërmjet atyre, që e quajnë veten “Rojtarë të natyrës”. Duke u folur të rinjve dhe edukatorëve të tyre, Papa theksoi:
“Është e sigurtë se nuk mund të ketë ardhmëri të mirë për njerëzimin mbi tokë, në se nuk i edukojmë të gjithë me një stil jete plot përgjegjësi ndaj krijesës. E ky stil mësohet, para së gjithash, në familje e në shkollë”.
Papa inkurajoi kërkimet shkencore, por pa harruar të kujtojë edhe se duhet ta respektojnë ‘vulën’ e Krijuesit mbi gjithë krijesën:
“Në se, në punën e tij, njeriu harron se është bashkëpunëtor i Zotit, mund ta dhunojë krijesën e të shkaktojë dëme me pasoja jashtëzakonisht negative edhe mbi vetë njeriun, siç po e shikojmë, për fat të keq, në shumë raste”.
Sot, më shumë se kurrë, vijoi Benedikti XVI, shihet qartë se nuk mund të respektohet ambienti, pa respektuar, në radhë të parë, njeriun dhe paprekshmërinë e tij, në të gjitha fazat e jetës e në të gjitha kushtet e jetesës:
“Respekti për njeriun dhe respekti për natyrën janë një gjë e vetme, por që të dy mund të zhvillohen e të kenë masën e drejtë në se, si në krijesën njerëzore, ashtu edhe në natyrë, respektojmë Krijuesin e krijesën e tij. Prandaj, të dashur të rinj, jam i bindur se ju jeni aleatët e mi, jeni rojtarë të jetës e të krijesës”.
Para këtij pohimi, duke kujtuar vendimin e Papës Gjon Pali II për ta shpallur, më 1979-të, Shën Françeskun pajtor të ekologjisë, e duke e falënderuar edhe kardinalin Rodriguez Maradiaga për dhurimin e një riprodhimi të çmuar të Kodit 338, që përmban burimet më të lashta françeskane, Benedikti XVI citoi disa nga vargjet e “Këngës kushtuar Vëllait Diell”, një poezi në të cilën del mrekullisht në pah vendi që zë Krijuesi. E më pas, komentoi:
“Këto vargje bëjnë pjesë, me të drejtë, në traditën tuaj kulturore e shkollore. Por, mbi të gjitha, janë lutje, që e edukon zemrën të dialogojë me Zotin; e edukon të shikojë në çdo krijesë, firmën e Artistit të madh qiellor… Fra Françesku, besnik i Shkrimit Shenjt, na fton ta shikojmë natyrën si libër mahnitës, që na flet për Zotin, për bukurinë e mirësinë e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.