2011-11-28 18:00:19

Në tetë vende evropiane u mbajt Java e takimeve kristiano-islamike.


“Në një kohë, kur historia jonë përshkohet nga kriza e dhuna, të krishterët e myslimanët mund të mbështeten fort mbi vlerat e fesë, prej nga buron forca e guximi për të punuar së bashku për drejtësi e paqe”. Këtë nënvizojnë organizatorët e edicionit të 11-të të Javës për takimet kristiano-islamike (Seric), që u mbajtën në Francë e në shtatë vende të tjera, javën e fundit të nëntorit. Takimi - kujton gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, ishte pjesë përbërëse e veprimtarive, lidhur me dialogun ndërfetar. Gjatë Javës u mbajtën konferenca, në të cilat u debatua e u dhanë dëshmi të ndryshme, nga përfaqësues të të dyja feve. Por, Java nuk u kushtohej vetëm të krishterëve e myslimanëve. Ajo ishte ftesë drejtuar të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë, për të bashkëpunaur në shërbim të drejtësisë e të paqes, në lagjen ku jetojnë, në shkollë, në vendin e punës.
Java u organizua nga Grupi i miqësisë islamo-kristiane (Gaic) i mbështetur nga “Komiteti katolik për zhvillimin, kundër urisë”, si dhe nga “Grupi islamik francez i ndihmës”.
Shumica e takimeve u mbajtën në Paris dhe në qytete të tjera franceze. Por nuk munguan edhe mbledhjet në Belgjikë, Hollandë, Spanjë, Itali, Poloni, Finlandë e Mbretëri e Bashkuar.
Instituti katolik ishte, të shtunën e kaluar, selia e tryezës së rrumbullakët me temë “Të krishterët e myslimanët, përballë frikës, që buron nga shoqëria, në të cilën jetojmë”.
Gjithnjë në Paris, më 22 nëntor, u fol për “Veprimtarinë kundër vetmisë: në qendër të vëmendjes së të krishterëve e myslimanëve”.
Ndërsa më 26 e 27 nëntor, rreth pesëdhjetë specialistë, diskutuan për arritjet më të reja të dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.Së fundi, në Shatenei-Malabri (Siena e Epërme), u hap ekspozita me titull: “Al Andalus, héritage oublie?”, me shfaqje, filma, konferenca, debate, koncerte, për të kaluar disa çaste të këndshme së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.