2011-11-28 18:09:55

Më 28 nëntor kalendari kujton shën Teodrën, abateshë


Më 28 nëntor kalendari kujton shën Teodrën, abateshë
Ndërmjet shumë shenjtoreve me emrin Teodora, që do të thotë ‘dhuruar nga Zoti’, spikasin dy shenjtore perandoresha të Lindjes, Teodora (vdekur në vitin 548) bashkëshorte e perandorit Justinian, dhe Teodora (vdekur në vitin 867) gruaja e perandorit Teofil, që të dyja të kremtuara nga kulti i Kishës bizantine.
Por sot përkujtohet një Teodorë tjetër, ndoshta-ndoshta me gjak shqiptar. Është fjala për Teodorën abateshë, për të cilën dimë vetëm aq, sa shkruan Martiriologu Romak:
“E lindur pranë Rozanos, në Kalabri, Shën Teodora, abateshë, ishte dishepulle e Shën Nilit e mësuese e jetës murgare”.
Hamendësojmë se Shenjtorja mund të ishte me gjak arbëresh, duke u nisur, së pari, nga fakti se Rozano Kalabro, ku lindi, margaritar i detit Jon, është qytet historik, i pasur me art e kulturë greko-bizantine, e sidomos, me codex purpureus, ndërmjet të cilëve, kodiku i lashtë bizantin, që përmban Ungjillin, realizuar në faqe të zbukuruara me ar e argjend, pa shok në botë. E gjithë kjo kulturë ishte e është karakteristike edhe për arbëreshët.
E më pas, nisemi nga fakti se Shën Nili, abat, që në Martiriologun Romak figuron me origjinë greke e themelues i Abacisë, të populluar deri më sot me murgjër arbëreshë, të Grotaferratës, ishte mësues i vërtetë feje pikërisht për arbëreshët e arbëreshet. E prej këndej, mund të ketë qenë mësues i shenjtërisë edhe për Shenjtoren, që përkujtoi sot Kisha katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.