2011-11-28 15:58:10

Benedikti XVI takon kryeministrin libanez: paqe e respekt për të drejtat e njeriut në Siri


Sot paradite, Papa Benedikti XVI priti në audiencë kryetarin e Këshillit të Ministrave të Libanit, Naxhib Mikati, i cili më pas, u takua edhe me sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì.
Në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë njoftohet se bisedimet ishin të përzemërta dhe vunë në dukje rolin e Libanit në rajon, sidomos përsa i përket bashkëjetesës e respektit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.
“Gjatë bisedimeve – vazhdon komunikata – u fol për situatën në Lindjen e Mesme, duke iu referuar edhe situatës delikate në Siri. Për këtë, u nënvizua urgjenca që të gjithë të impenjohen për bashkëjetesën paqësore, të bazuar mbi drejtësinë, pajtimin dhe respektin e dinjitetit të njeriut e të të drejtave të tij të patjetërsueshme. U përmend, së fundi, kontributi themelor, që mund të japin për këtë qëllim të krishterët, të thirrur të jenë protagonistë të mirëkuptimit e të paqes. Prania e tyre është thelbësore për të mirën e rajonit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.