2011-11-28 16:07:45

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: është Hyji, jo njeriu, i zoti i botës. Thirrje OKB-së: rrugëzgjidhje të besueshme për ndryshimet klimaterike.


“Koha e Ardhjes i kujton njeriut se zoti i botës nuk është ai, por Krishti Fëmijë, që erdhi për ta shpëtuar njerëzimin”. Janë fjalët e Papës, në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Lutja përfundoi me thirrjen drejtuar specialistëve të mbledhur sot në Jug të Afrikës, ku u hapën punimet e Konventës së OKB-së për ndryshimet klimaterike. “Uroj që të gjithë, nënvizoi Papa, të japin një zëri përgjigje solidare për këtë fenomen shqetësues”.

Nuk është i paktë ndryshimi ndërmjet Atit e pronarit. Ndërmjet Hyjit, që është mik i të gjithëve, e një morie njerëzish, të cilët e harrojnë fare Zotin e duan të bëhen zotërit e Krijesës. Për t’u tmerruar, pastaj, e për t’u kujtuar për Zotin, kur natyra a gabimet që bëjnë në shoqëri, i flakin në erë planet e tyre të sundimit, pa kushte, e pa shpirt.

Lutja e djeshme e Engjëllit të Tënzot u ndoq nga një turmë e madhe besimtarësh, në Sheshin e ndriçuar nga një diell, që të kujtonte se jemi në prag të dimrit, e të festave të tij të mëdha. Aq më tepër se në mes të Sheshit tashmë po punohet për Shpellën e Betlehemit 2012, ndërsa pritet Bredhi i madh, që do t’i ndriçojë festat e mëdha. Kjo nuk mund të mos i kujtojë gjithë botës së krishterë e jo, se tashmë e bëmë hapin e parë kah Betlehemi, në pritje të ngjarjes së madhe. E Papa pikërisht për të dielën e parë të pritjes reflektoi, duke kujtuar faqen ungjillore, në të cilën Krishti u përsërit dishepujve të vet e të gjithëve: “Rrini zgjuar!”.
“Është thirrje e dobishme, për të na kujtuar se jeta nuk ka vetëm përmasa tokësore, por shkon shumë më përtej, ashtu si një bimëz që mungullon nga toka e hapet drejt qiellit. Një bimë, që mendon, njeriu, i pajisur me liri e përgjegjësi. E që, prandaj, do të thirret për të dhënë llogari sesi jetoi, si i përdori aftësitë e veta, në se i mbajti për vete, apo i bëri të frytojnë edhe për të mirën e vëllezërve”.
Problemi, vijoi Papa, lind kur, ashtu si populli i Izraelit, mijëra vjet më parë, edhe njerëzit e kohëve tona nuk kujtohen aspak se e kanë këputur lidhjen me qiellin, duke e bërë të sotmen më të shqetë e më të padrejtë, siç ndodh, vërejti Ati i Shenjtë, disa herë në botën post-moderne, ku jetohet në…:
Qytete, në të cilat jeta bëhet e paemër, e rrafshtë; ku të krijohet përshtypja se Zoti mungon e se i vetmi pronar është vetë njeriu, si të ishte ai vetë, e jo kush tjetër, autor e regjisor i gjithësisë: ndërtimet, puna, ekonomia, transportet, shkencat, teknika, gjithçka duket sikur varet vetëm nga njeriu. Por papritmas, në këtë botë që duket gati-gati e përsosur, ndodhin gjëra tronditëse, herë në natyrë, herë në shoqëri; e prej këndej ne nuk mund të mos na duket se Zoti është larguar, e, si të themi, nuk merret më fare me fatin tonë”.
Në të vërtetë, përsëriti Papa, zotëria i vetëm i botës nuk është i krijuari, po Krijuesi, që mund t’ia hapë krijesës portën e misterit të shëlbimit, vetëm në se edhe njeriu ia hap zemrën dashurisë, që buroi nga mrekullia e Betlehemit:
Koha e Ardhjes afrohet çdo vit për të na e kujtuar këtë, që jeta jonë të gjejë drejtimin e duhur, kah Fytyra e Hyjit. Nuk është fytyrë ‘padroni’, por fytyrë Ati e Miku”.

Menjëherë pa Lutjes mariane, Papa kujtoi takimin e madh të Durbanit, në Jug të Afrikës, ku sot u hapën punimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimaterike dhe për Protokollin e Kiotos:
“Urojmë që të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë përgjigje të drejtë, bindëse e solidare këtij fenomeni shqetësues e të ndërlikuar, duke pasur mirë parasysh kërkesat e popullsive më të varfëra e të breznive të ardhshme”.
Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, drejtuar mijëra njerëzve që e ndoqën lutjen poshtë dritares së studios papnore, Benedikti XVI inkurajoi drejtuesit evropianë të Shoqërisë së Shën Vinçencit de Paoli t’i përballojnë me shpirtin e Ungjillit, varfëritë e vjetra e të reja.Një përshëndetje e veçantë, edhe bashkësisë kubane të dioqezës së Bergamos si dhe “Shërbimit universitar afrikan” të Romës, E, para se të përfundonte, edhe urimi, besimtarëve:

“Të diele të gëzuar e udhë të mbarë në Kohën e Ardhjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.