Atë Kantalamesa: ta jetojmë si duhet Kohën e Ardhjes, mënyra më e mirë për t’u përgatitur
për Vitin e Fesë
Filloi dje për Kishën Katolike, Koha e Ardhjes, koha e përgatitjes shpirtërore për
Krishtlindjen, festën e lindjes së Foshnjës Hyjnore. Në këtë periudhë, Kisha na fton
të meditojmë mbi mishërimin e Zotit, i cili në Jezusin, na zbulohet si njeri e hyn
në botë e në histori për të na treguar rrugën e Shpëtimit. Kjo periudhë vjen çdo vit,
por çdo herë sjell risi. Cilat janë risitë e këtij viti? Përgjigjet për ne predikatari
i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa: Risia vjen nga Shpirti Shenjt,
sepse çdo vit, Shpirti Shenjt u jep jetë të re fjalëve, të cilat i dëgjojmë në një
kontekst gjithnjë të ri. Ashtu si Fjala e Zotit, pavarësisht se është po ajo, është
gjithnjë e re, sepse situata është e ndryshme e Shpirti Shenjt vë në dukje anë të
reja të saj, ashtu edhe Kisha, në këtë çast, përjeton dy tema të mëdha: ungjillëzimi,
që do të jetë tema e Sinodit të ardhshëm dhe, Viti i Fesë, shpallur nga Benedikti
XVI. Koha e Ardhjes është e përshtatshme për t’i dhënë kuptim konkret këtij Viti të
Fesë e në qendër të kësaj Kohe është pikërisht feja e Shën Marisë, e barinjve dhe
e Mbretërve Dijetarë. Pra, nuk mund ta fillojmë më mirë Vitin e Fesë se sa me përjetimin
sa më të plotë të Kohës së Ardhjes. Si të përgatitemi, që ta jetojmë sa më
mirë Kohën e Ardhjes? Përgatitja e jashtme bëhet duke i lënë më tepër hapësirë
heshtjes, lutjes, kundrimit. Kohët e forta shërbejnë edhe për këtë: për t’u shkëputur
një çast nga ritmi i zakonshëm i jetës. Natyrisht, nuk mund ta pakësojmë impenjimin,
punën, por duhet të ulim zhurmën e televizionit e të gjërave të tjera, në mënyrë që
të hyjmë në një atmosferë heshtjeje e përshpirtërie më të madhe. Por, në fund të fundit,
rëndësi ka hapja e zemrës ndaj Shpirtit Shenjt, pasi Shpirti Shenjt është prania e
gjallë e Krishtit. Koha e Ardhjes ka kuptim për faktin se rijetojmë pritjen, ardhjen
e Krishtit, por kush e bën të pranishëm Krishtin në Kishë e në histori, është Shpirti
Shenjt. Ai erdhi mbi Shën Marinë e në këtë Kohë Ardhjeje duhet të vijë mbi të gjithë
të krishterët. E Shpirti Shenjt vjen. E rëndësishme është që njerëzit ta dëshirojnë
këtë, ta presin, sepse siç thotë Shën Bonaventura: “Shpirti Shenjt shkon aty ku e
presin, e dëshirojnë dhe e duan”. Kjo pritje zgjat katër javë. Cila është rruga,
që na propozon liturgjia? Brenda Kohës së Ardhjes, ekziston një rrugë afrimi,
që intensifikohet duke shkuar drejt Krishtlindjes. Për shembull, në fillim, liturgjia
na propozon sidomos Isainë profet, tekstet e tij, që shpallin Kohën shëlbuese të Ardhjes,
duke u nisur nga larg. Pastaj, në javën e dytë dhe të tretë, figura qendrore është
shën Gjon Pagëzuesi, pararendësi i Jezusit, pra afrohemi edhe pak më tepër. Në të
dielën e fundit të Ardhjes mbizotëron figura e Shën Marisë. Do të thosha se shoqja
më e mirë e udhëtimit gjatë Kohës së Ardhjes, është pikërisht Zoja, pasi e ka përjetuar
këtë periudhë si çdo nënë në prag të lindjes së fëmijës, që ka në bark: me përshpirtëri,
me intensitet, me dhembshuri të veçantë. Pra, Maria mund të na ndihmojë me siguri
të shkojmë drejt Krishtit, jo pa menduar e pa e dashur Atë, por duke shkuar drejt
Krishtit pikësëpari me zemër e pastaj, duke numëruar ditët.