U hap në Vatikan, ekspozita mbi arkitektin Gaudì dhe mbi Bazilikën e Sagrada Familia-s
Një ekspozitë, kushtuar “arkitektit të Zotit”, për ta falenderuar Papën për vizitën
dhe aktin solemn, të kryesuar prej tij, vitin e kaluar. Ky është synimi i ekspozitës
“Gaudì dhe Sagrada Familia e Barcelonës: arti, shkenca dhe përshpirtëria”, e cila
u hap të enjten në Krahun e Karlit të Madh në Vatikan. Mund të vizitohet deri më 15
janar 2012. Me organizimin e saj janë marrë dy institucione të kryedioqezës së Barcelonës,
të mbështetura nga Këshilli Papnor për Kulturën. Gjatë paraqitjes së ekspozitës
në Sallën e Shtypit të Vatikanit, një grup i madh nga qyteti katalan, i kryesuar nga
kryeipeshkvi, kardinal Lluìs Martinez Sistach dhe kreu i dikasterit për Kulturën,
kardinali Gianfranco Ravasi treguan shumë anekdota për Antoni Gaudinë. Në njërën prej
tyre, para ngadalësisë me të cilën guljet e kishës ngriheshin drejt qiellit, e dekorimet
mbushnin muret e gurta, Gaudì përsëriste shpesh: “Klienti im nuk ngutet”. Pasioni
i madh i artistit, por edhe i besimtarit të devotshëm, që e di se Zoti pret prej tij
diçka të bukur e jo diçka të përfunduar shpejt. E pikërisht kjo shkrirje e mrekullueshme
ndërmjet artit, shkencës dhe përshpirtërisë e bën arkitektin spanjoll gati të paimitueshëm
dhe e shndërron Sagrada Familie-n në ikonë të artit kishtar, para së cilës mbeti i
mahnitur edhe Papa Benedikti XVI, në vizitën e 7 nëntorit të vitit të kaluar, kur
e ngriti këtë tempull në rangun e Bazilikës minore. Ajo, theksoi gjatë konferencës
për shtyp, kardinali Sistach:
“…vë në dukje realitetin e një tempulli
të mrekullueshëm për nga bukuria, madhështia dhe simbologjia, në qendër të një metropoli
të madh si Barcelona. Siç tha Benedikti XVI në Barcelonë, kjo Bazilikë është shenjë
e dukshme e Zotit të padukshëm, shumë e nevojshme në shoqëritë tona perëndimore evropiane,
me nivel të theksuar kulturor laicist e me indiferencë fetare”.
Sipas
arkitektit Daniel Giralt-Miracle, komisar i ekspozitës, Sagrada Familia nuk
është më vetëm një tempull, apo vetëm një vepër arkitektonike, por një vepër, që tregon
Hyjin e vërtetë, në shekullin XXI:
“Këtë përpiqemi t’u shpjegojmë vizitorëve
të Sagrada Families; këtë shpjegojmë me këtë ekspozitë në tri pjesë: është një udhëtim
përmes arkitekturës, nga jashtë brenda. Qëllimi është të kapim praninë e Gaudì-së
dhe të kuptojmë se këto nuk janë vetëm gurë, por se brenda Sagrada Familias ka një
shpirt”.
Aftësia e arkitektit të madh për t’i dhënë forma të tilla artistike
fesë së vet – tha në fund kardinal Ravazi, duke kujtuar se për Gaudì-në vazhdon
procesi i lumnimit – është diçka që ta sjell mendjen rrotull:
“Kjo marrje
mendsh është fizike, para së gjithash: ke përshtypjen se je përpara diçkaje, që sfidon
ligjet e natyrës, diçkaje absolutisht monumentale, por njëkohësisht, edhe diçkaje
që rri pezull. Kjo bën të mundur lidhjen e kësaj përshtypjeje psikologjike, shpirtërore,
marramendëse me ngjitjen drejt misterit, drejt transhendencës”.
Tre milion
vetë vizitojnë çdo vit Sagrada Familen e gjeniut të arkitekturës Gaudì. Kjo bën të
mundur që ndërtimi i bazilikës, filluar në vitin 1882, të vazhdojë deri në fund. Po
kur do të përfundojë? Ja përgjigjja e kardinalit Sistach, që kujtoi “profecinë”
e arkitektit, sipas të cilit, për përfundimin e bazilikës do të kujdeset Shën Jozefi:
“Profecia
është plotësuar në atë, që mund t’i referohet përfundimit të navatave të brendshme,
sepse ia ka kushtuar kultit një Papë, emri i pagëzimit të të cilit, është Jozef. Po
ndërtimet e jashtme? Mungojnë dhjetë kulla, kapela e të Shenjtnueshmit Sakrament,
e Batisterit dhe e Zojës, dy sakresti dhe kiostri. E kam përsëritur shpesh se do të
dëshiroja që gjithçka të përfundonte në vitin 2026, në 100-vjetorin e vdekjes së Antoni
Gaudì-së. Kur do të lumnohet ai? Dëshira ime është sa më parë të jetë e mundur”.