Jemi në Kohën e Ardhjes, në periudhën përgatitore për Lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit.
Në udhëtimin e shpirtit, secili prej nesh përpiqet të thellohet më tepër në misterin
e jetës dhe të mësojë të vërtetat e përjetshme, që hedhin dritë mbi të dhe mbi qëllimin
e saj. Periudha përgatitore e Ardhjes, para Krishtlindjes, na jep mësime të çmuara
dhe drejtimin e duhur për pritjen e Shpëtimtarit tonë. Le të udhëtojmë së bashku përgjatë
kësaj periudhe që të ndriçohemi prej mësimeve jetëdhënëse të Kishës. Periudha e
Krishtlindjes në Kishën Katolike fillon me Ardhjen, e cila zgjat katër javë e, nis
me thirrjen “të rrimë zgjuar e të përgatitemi për Ardhjen e Zotit”. Koha liturgjike
e Ardhjes është kohë e thirrjes nga ana e Jezusit Zot e Shpëtimtar. Ai na fton të
shkojmë ta shohim, ta takojmë. Së pari, ne duhet të shohim Krishtin - njeri. Duhet
ta njohim si qenie konkrete njerëzore, hebre, mësues, profet. Ta takojmë si foshnjën
e Marisë, si birin e marangozit, si nazaretasin. Më pas, pasi sytë tanë të hapen dhe
zemrat të pastrohen, do të shohim “gjëra më të mëdha”. Ne do ta njohim jo thjesht
si një mësues, por si Mësuesin, jo thjesht si një profet, por si Profetin, jo thjesht
si një bir njeriu, por si Birin e njeriut, të parafolur nga profetët. Do ta shohim
jo thjesht si një bir i Hyjit, por si Birin e Hyjit, i Lindur prej Atit para të gjithë
shekujve. Ne do ta shohim si Fjalë e Zotit në trup njerëzor, si Ikonë e Hyjit në formë
njerëzore. Dhe së fundi, do ta shohim Atë si vetë Hyjin. Hapi i parë në udhëtimin
drejt Krishtlindjes është takimi me njeriun Jezus. Nëse dëshirojmë vertet të shkojmë,
me siguri edhe do të shohim. Ashtu si Filipi e Natanaeli, që në Ungjillin e Shën Gjonit,
shkojnë për të parë nëse mund të vinte gjë e mirë nga Nazareti, edhe ne, sipas premtimit
të Krishtit, do të shohim “gjëra më të mëdha” nga sa presim. Do ta njohim se kush
dhe çfarë është Ai në të vërtetë. Së pari duhet të shkojmë. Nëse nuk shkojmë, nëse
nuk nisemi udhës, që na çon në Betlehem, nuk do ta shohim kurrë Hyjin e Mishëruar
për shpëtimin tonë.
Gjatë ditëve të Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na
ndihmon t’ia përgatisim vendin në zemrat tona Zotit, që vjen në kohë, në histori e
në natyrën tonë njerëzore. Jezu Krishti, Biri, Fjala e Hyjit është formuar fizikisht
e shpirtërisht në trupin e Marisë, kështu që Ai mund të formohet edhe në ne. Ky është
kuptimi i Krishtlindjes, i cili është dhe kuptimi i vetë jetës: Krishti në ne dhe
ne në Krishtin. Hyji me ne dhe ne me Hyjin.
Ndërsa fillojmë udhëtimin drejt
Krishtlindjes, rruga para nesh është e qartë. Ne mund të ndjekim “rrugën e ngushtë”
që na çon te jeta, ose mund të vazhdojmë “rrugën e gjerë” që na çon në shkatërrim.
(Mt. 7:13-14) E kremtimi i kohës së Ardhjes shënon dhe lajmërimin e Lindjes së
Krishtit. Kjo kohë liturgjike e shpirtërore na kujton ngjarjen madhështore të festës
së Krishtlindjes: “Ja Krishti lind, lavdërojeni; Ja Krishti i qiellit vjen, dilni
priteni e në zemra pranojeni”.
Nëse nuk nisemi e shkojmë nuk do të shohim kurrë.
Por nuk mjafton vetëm të shkojmë te Krishti. Ne duhet ta shohim me të vërtetë. Shumë
njerëz e panë Krishtin kur erdhi në tokë e mori natyrën tonë njerëzore, por jo të
gjithë e panë Atë si Birin e Hyjit dhe Shpëtimtarin e botës. Ka shumë njerëz, që vijnë
në kishë dhe, ende nuk shohin. Krishti na e thotë edhe psenë. Arsyeja, thotë Ai, është
se ata duan errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre janë të liga. (Gjn 3:19)
Periudha
e Ardhjes është kohë kremtimi, ngazëllimi dhe gëzimi. Kisha i fton të gjithë të kremtojnë.
Jemi krijuar të galdojmë për dhuratat e Hyjit dhe për vetë Zotin. Ky është thelbi
i jetës sonë. Jemi krijuar të jemi “imituesit e Hyjit” dhe “pjesëmarrës të natyrës
hyjnore”. Zoti është Hyji i të gjallëve, prandaj ne jemi krijuar për të jetuar; Zoti
është i mirë, prandaj ne jemi krijuar për të qenë të mirë; Zoti është i urtë, prandaj
ne jemi krijuar për të qenë të urtë; Zoti është i mbushur me paqe, gëzim, mirësi,
dashuri, fuqi dhe zemërgjerësi, kështu duhet të jemi dhe ne.
Lindja e Jezusit
lajmërohet në botë si shpallja e gëzimit të madh. Po kështu engjëjt, që u sollën barinjve
lajmin e gëzimit të madh, shpallën, duke i thurur lavde Hyjit, paqe mbi dhé dhe mbi
njerëzit vullnetmirë. Krisht Lind - prek dhe mbush qiellin dhe tokën.
Krishti
Lind – ndër njerëzit vullnetmirë. Krishti Lind – Zoti erdhi në tokë. Krishti
Lind – Hyji i dhuroi njeriut dashurinë, gëzimin dhe jetën më të ëmbël.
Krishti
Lind – gëzohuni! Në këtë Krishtlindje, Hyji na bëftë të denjë për të marrë në zemër
Jezusin Foshnje, duke i lejuar t‘i mbushë ato me dritë e bekime Hyjnore.